Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se aplikimi i kësaj procedure përbën një hap të rëndësishëm në avancimin e shërbimeve urologjike dhe në ofrimin e trajtimeve moderne brenda sistemit publik shëndetësor në Kosovë.
Bazuar në njoftim, pacienti i lindur më 1967 është rasti i parë që iu ka nënshtruar me sukses këtij intervenimi dhe është liruar për në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.
“Procedura është realizuar nga ekipi i Klinikës së Urologjisë në bashkëpunim me Klinikën e Anesteziologjisë, duke përdorur teknologjinë bashkëkohore të laser-it holmium, e cila mundëson thyerjen dhe largimin e gurëve në veshka përmes një qasjeje minimale invazive. Metoda PCNL përdoret për trajtimin e gurëve të mëdhenj në veshka dhe realizohet përmes një prerjeje shumë të vogël në lëkurë, duke mundësuar qasje direkte në veshkë. Kjo teknikë redukton traumën kirurgjike, kohën e qëndrimit në spital dhe periudhën e rikuperimit të pacientit”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se deri më tani, pacientët me këtë patologji kanë qenë të detyruar të kërkojnë trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore.













