Senatori dhe kongresmeni që i takoi Kadri Veseli në SHBA, të përfshirë në afera korruptive milionëshe

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dje ka udhëtuar në SHBA ku ka zhvilluar takime me senatorë e kongresmenë amerikanë.

Bazuar në postimet e Veselit në rrjetin social Facebook, në takimet me zyrtarët amerikan është folur kryesisht rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë, dialogun me Serbinë, të ardhmen e ushtrisë dhe nxitjen e investimeve amerikane në Kosovë.

Sot, Veseli ka njoftuar se në vazhdim të vizitës së tij në Uashington, është takuar me senatorin demokrat Gary Peters dhe kongresmenin republikan Vern Buchanan.

Ballkani.info mëson se të dy zyrtarët amerikanë, kanë një të kaluar të ‘errët’ me histori korruptive e investime të dyshimta.

Senatori demokrat, Gary Peters, ishte kritikuar për investime të dyshimta në një kompani franceze të naftës, e cila kishte pranuar se ka ofruar ryshfet tek zyrtarët iranian për të pasur çasje në fushat e naftës.

Kompania franceze ‘Total S.A.’, e cila është kompania e katërt e naftës më e madhja në botë, kishte pranuar se ka paguar 60 milionë dollarë tek një zyrtar iranian me ndikim, për të fituar tenderë të naftës.

Pasi kishte fituar mbi 150 milionë dollarë nga kontratat iraniane, kompania kishte pranuar se ka përdorur dokumentacione false dhe kishte korruptuar zyrtarë shtetëror.

Në vitin 2013, ‘Total S.A.’ kishte pranuar të paguajë afro 400 milionë dollarë gjobë nga FCPA (Akti i Praktikave të Huaja Korruptive). Njëri nga senatorët e nominuar në atë kohë, kishte kërkuar nga senatori demokrat Gary Peters që të tërhiqte investimet e tij nga kjo kompani, por ky i fundit kishte refuzuar, shkruan The Washington Free Beacon.


Senatori Gary Peters në takim me kryeparlamentarin Veseli

Senatori i cili u takua dje me Veselin, thuhet se kishte investuar rreth 20.000 dollarë në kompaninë e cila ka pranuar se ka korruptuar zyrtarët iranianë, edhe pse i njëjti senator kishte promovuar platforma për ruajtjen e mjedisit.

Në anën tjetër, kongresmeni republikan Vern Buchanan i cili gjithashtu u takua me kryeparlamentarin Veseli në Uashington, vite më parë kishte pasur akuza dhe ndaj tij ishin publikuar raporte që e kishin klasifikuar si njërin nga kongresmenët më të korruptuar.

Organizata jo-fitimprurëse CREW (Qytetarët për Përgjegjësi dhe Etikë në Uashington), e cila kryesisht mirret me hetimin e kampanjave dhe promovimeve të politikanëve amerikanë me qëllim të ruajtjes së transparencës dhe demokracisë, kishte akuzuar kongresmenin Vern Buchanan se ka tentuar ta korruptojë një ish partner të biznesit me miliona dollarë, për të mbuluar skemat e financimit të kampanjave të tij.

Kongresmeni Buchanan, thuhet se ka orkestruar një skemë që kishte detyruar punëtorët e tij të kontribojnë në kampanjën e tij, duke i siguruar ata se paratë e dhuruara do t’iu kthehen ilegalisht me para të koorporatës, shkruan CREW.

Për ta dyfishuar sjelljen e tij kriminale, kongresmeni kishte tentuar që ta korruptojë ish partnerin e tij të biznesit me rreth 3 milionë dollarë, për t’i mbuluar aktivitetet e tij në mënyrë që të mos bëhen publike.

“Pa përmendur detyrimin e punëtorëve për të marrë pjesë në skemën e kontributeve, ai i kishte ofruar ish-partnerit të biznesit të tij rreth 3 milionë dollarë që të japë dëshmi të rrejshme nën betim”, kishte deklaruar drejtoresha ekzekutive e CREW, Melanie Sloan.


Kongresmeni republikan Vern Buchanan në takim me kryeparlamentarin Veseli

Në vitin 2008, CREW dhe dy ish punëtorë kishin dorëzuar një ankesë në Komisionin Federal të Zgjedhjeve (FEC) rreth këtyre akuzave, për të cilën kongresmeni Buchanan ishte njoftuar se janë gjetur dëshmi për shkelje të ligjit nga ana e tij. Me gjithë shkeljet e lajmëruara, komisionerët e FEC-it nuk kishin marrë ndonjë veprim tjetër dhe çështja ishte pushuar. /Ballkani.info

Shkrimi i plotë i CREW.

Postimi i kryeparlamentarit Veseli në Facebook: