Serbia vazhdon ndërtimin e ‘Luginës së Diellit’, Kosova s’ka fuqi ta ndalë kolonizimin e veriut (Foto)

Punimet në “Luginën e Diellit” që patën filluar në vitin 2016, u patën ndërprerë përkohësisht me urdhër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës. Por kjo ministri nuk po ka fuqi ta ndaloj projektin e ndërtimit të shtëpive, pasi që serbët edhe gjatë qershorit po vazhdojnë punën intensivisht.

Në këto foto të bëra nga gazetari i portalit Veriu.info, shihet se si punëkryerësi po vazhdon ndërtimin e shtëpive, ku është planifikuar të vendosen 1500 serbë.

Ky kolonizim i veriut me serbë po kalohet heshtazi nga Qeveria e Kosovës, e cila nuk ka bërë sivjet asnjë përpjekje në terren për t’i ndërprerë punimet.

Të vetmin veprim kundër këtij rasti të kolonizimit të veriut e ka bërë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke bërë një padi në Gjykatën e Mitrovicës ndaj Drejtorisë për Urbanizëm të komunës së Zveçanit, e që është më shumë veprim formal, se sa që mund t’i ndërpres punimet.

Ndryshe,  Qeveria e Serbisë nëpërmjet Zyrës për Kosovën është duke kërkuar familje serbe për t’i vendosur në vendbanimin e ashtuquajtur “Lugina e diellit”, ku ndër familjet e parat që do të vendosen aty janë 134 familje serbe të Frashërit të Mitrovicës dhe 63 familje të komunës së Vushtrrisë.