Shefi i agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad, David Barnea, ka qëndruar këtë javë në Uashington, ku ka zhvilluar bisedime me zyrtarë të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, në lidhje me mundësinë e zhvendosjes së palestinezëve nga Gaza.
Sipas një raportimi të Axios, që citoi burime të njohura me takimin, Barnea i ka thënë të dërguarit të posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, se Etiopia, Indonezia dhe Libia kanë shprehur gatishmërinë për të pranuar refugjatë palestinezë nga Gaza.
Ai ka theksuar se Uashingtoni duhet të ofrojë “nxitje” këtyre vendeve për të pranuar zhvendosjen.
Megjithatë, burimi ka shtuar se Witkoff nuk është shprehur qartë lidhur me këtë propozim.
Zyrtarë të administratës amerikane kanë theksuar se Shtëpia e Bardhë aktualisht nuk po e shqyrton idenë e zhvendosjes së popullsisë së Gazës, sidomos për shkak të kundërshtimeve nga vendet arabe.
Kjo iniciativë vjen disa muaj pas propozimit të Donald Trumpit për zhvendosjen e përkohshme të të gjithë banorëve të Gazës, derisa rajoni të rindërtohet.
Ky propozim pati kundërshtime të mëdha, jo vetëm në botën arabe, por edhe në atë perëndimore. Megjithatë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe koalicioni i tij shprehën mbështetje të fortë për këtë ide.