Shkruan Imer Mushkolaj: Drejtësia që na duhet

Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për drejtësi, por jo për drejtësi selektive e hakmarrëse ndaj kujdoqoftë. Duhet të vihet drejtësi në gjyqësor e prokurori, në arsim e shëndetësi, politika sociale e punësim. Shteti i së drejtës nuk duhet të mbetet vetëm një parullë

Shkruan: Imer Mushkolaj

Mund të tingëllojë parullë koti kur dikush përmend “shtetin e së drejtës”, por mungesa e tij është një probem i madh për vendin. Në fakt, është problemi më i madh. Përtej keqkuptimit se derjtësia në një vend ka të bëjë vetëm me prokuroritë ose gjykatat, nevoja për drejtësi në të gjitha fushat është e madhe. Njerëzit në Kosovë sot e ndjejnë mungesën e drejtësisë në çdo hap. “Nuk ka shtet, se nuk do të mund të ndodhte kështu”, është shprehje e përdorur shpesh. Ndër vite, shteti ka qenë miqësor me të fortin, por jo i tillë me të dobëtin. Ndër vite padrejtësia ka goditur më së shumti të drejtët dhe të ndershmit.

Kur flitet për drejtësinë zakonisht në fokus janë gjykatat e prokuroritë. Zakonisht flitet për një sistem drejtësie të ndikuar nga politika, flitet për instiotucione të drejtësisë që nuk e kryejnë punën si duhet, flitet për një sistem që godet më së shumti ata që nuk kanë mbështetje politike, kurse me politikën dhe njerëzit rreth politikës sillet ndryshe. Për këtë arsye, për gjithçka të keqe që ka ndodhur në vend përgjegjësit nuk janë adresuar e as ndëshkuar. Por njerëzit kanë nevojë për drejtësi në të gjitha fushat.

Ata kanë nevojë për drejtësi në arsim e shëndetësi, kanë nevojë për drejtësi në politika sociale e punësim. Njerëzit kanë nevojë për drejtësi për të mos u ndjerë të lënë anash e të ofenduar nga të tjerët që nuk njohin rregull as ligj për realizimin e qëllimeve të veta. Për drejtësi kanë nevojë ata që sorollaten gjykatave me vite, përderisa presin që çështja e tyre të marrë epilog.

Për drejtësi kanë nevojë ata që konkurrojnë për një vend pune me dhjetëra herë, por gjithnjë refuzohen sepse këto vende të pakta pune janë të rezervuara për politikën e njerëzit e lidhur me politikën. Njerëzit kanë nevojë për drejtësi në trajtimin shëndetësor, kanë nevojë të ndihen si të gjithë njerëzit e botës normale, të kenë një sigurim shëndetësor e shërbime korrekte. Njerëzit kanë nevojë për një sistem arsimi të mirë, e jo një sistem që nxjerr analfabetë funksionalë. Andaj njerëzit ndihen të frustruar dhe kanë pritje të mëdha se mbase diçka do të përmirësohet.

* * *

Tashmë ka nisur debati publik rreth ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, që në një të ardhme të afërt pritet të paraqitet në Kuvend. Një ligj i premtuar nga këta që janë tash në pushtet, por që po pritet me skeptizicëm nga një pjesë e opozitës dhe e shoqërisë. Është e padiskutueshme se politikanë dhe njerëz të lidhur me politikën janë pasuruar me të madhe, në disproporcion të madh me të ardhurat që kanë.

Është e njohur nga të gjithë se politikanët në vend kanë bërë pasuri maramendëse jo me të ardhurat që marrin si shërbyes publikë, por në forma tjera. Një ligj i tillë, nëpërmjet të cilit do të identifikohej dhe konfiskohej çdo lloj prone e përfituar jashtëligjshëm është i nevojshëm dhe nuk ka kush pse ta kundërshtojë. Por, e rëndësishme është që ky ligj të mos shërbejë për hakmarrje politike e personale ndaj kujdoqoftë. E rëndësishme është që ligji të mos shkel të drejtat e njerëzve dhe të ketë mbështetje kushtetuese.

Qytetarët e rëndomtë, të cilët shumicës dërmuese të politikanëve i referohen si “hajna”, presin që drejtësia të vihet në vend edhe nëpërmjet këtij ligji. Por, një proces i rëndësishëm që duhet të ndodh, po ashtu, është vetingu. Vetingu jo vetëm në sistemin e drejtësisë, por vetingu edhe në arsim, edhe në shëndetësi, edhe në fusha të tjera jetike për funksionimin e një shteti dhe të një shoqërie. Mjafton të shihen rezultatet në sistemin e arsimit për të konkluduar sa e rëndësishme është që në këtë sistem të zënë vend dhe t’iu jepet hapësirë njerëzve meritorë, e jo atyre që kanë zënë pozita nëpërmjet lidhjeve politike e nepotiste. Nevoja për veting në sistemin e drejtësisë as që duhet diskutuar. Mediat çdo ditë janë të mbushura me skandale prokurorësh e gjykatësish që, në këmbim te favoreve financiare dhe të tjera, marrin vendime të padrejta.

* * *

Është e rëndësishme që secili qytetar ta ndjejë se shteti po punon drejt. Është e rëndësishme për secilin që ta ndjejë dorën e munguar të shtetit. Por, veprimet që do t’i ndërmarrë pushteti i ri nuk duhet kurrsesi që jenë selektive, me motive politike dhe hakmarrëse. Mekanizmat për vendosjen e drejtësisë, që janë në duar të shtetit, nuk duhet të jenë kërcënim për askënd. Shteti i së drejtës nuk duhet të vazhdojë të mbetet veç një parullë që tingëllon bukur.