Shkruan Imer Mushkolaj: Sfida e çkapjes së LDK’së

Isa Mustafa thotë të mos i ketë gjetur ende arsyet pse partia e udhëhequr nga ai ka pësuar debakël. Por, ai ka plot arsye të tjera që të mos çkapet lehtë nga LDK’ja. Largimi i tij dhe grupit të tij nga udhëheqja mund ta shpëtojë partinë nga stërkeqja e mëtejme.

Imer Mushkolaj

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është në ditët më të vështira të saj. Gati 32 vjet nga themelimi, partia ka prekur rezultatin më të dobët ndonjëherë. Jo rastësisht dhe kryekëput për fajin e kreut të saj.

Për një dekadë në krye të saj, Isa Mustafa ia ka dalë ta shkatërrojë partinë. Arrogant në qasje dhe inferior karshi kritikave, ai ka bërë që në zgjedhjet e fundit partisë t’i shkëputen gjysma e votave të fituara në zgjedhjet e vitit 2019. Dhe, cinik çfarë është, ai vazhdon të deklarojë se nuk i di arsyet pse partia u katandis kaq keq.

Por, e vërteta është tjetër. Që nga viti 2010, kur ai erdhi në krye të partisë, humbi të gjitha zgjedhjet e mundshme, lokale e nacionale. Ndërkohë, vitet në vazhdim, ai u kthye në një ndër bashkëpunëtorët më të mirë të Hashim Thaçit, duke ia mundësuar atij ngritjen dhe vazhdimin e qëndrimit në pushtet.

Në fushata zgjedhore Mustafa premtonte se asnjëherë nuk do të bënte koalicion me SHIK’un dhe PDK’në. Por sapo merrte votat e simpatizantëve të partisë nuk ngurronte të vepronte ndryshe, duke e përdhosur vullnetin e votuesve.

Vit pas viti, zgjedhje pas zgjedhjesh e mashtrim pas mashtrimi, duket se votuesit shumë të durueshëm të LDK’së vendosën më në fund t’i japin përgjigje dekadës së nëpërkëmbjes së vullnetit të tyre. Ata i dhanë përgjigje edhe deklaratave arrogante të Mustafës se votuesit nuk vendosnin se kush do t’i qeveris. Ata i dhanë fund cinizmit të tij dhe lojës së rrezikshme që e solli partinë buzë greminës.

Por pas humbjes spektakolare, kur as që do të duhej diskutuar dhënia e përgjegjësisë nga paria e partisë, pra nga Isa Mustafa, Agim Veliu dhe plot të tjerë nga e ashtuquajtura “kryesi e ngushtë”, Mustafa po jep shenja se nuk e ka ndërmend të dorëzohet lehtë.

* * *

Me këtë qasje dhe me ndikimin që “garda e vjetër” vazhdon ta ketë në parti, Kuvendi i LDK’së, i paralajmëruar për 14 mars, është vështirë të prodhojë një kryetar që do ta dëshironte pjesa më e madhe e anëtarësisë së partisë. Kjo mbledhi nuk duhet të jetë një kuvend vetëm sa për të larë veten udhëheqja partiake shkaku i humbjes lapidare në zgjedhje, por një i atillë që do të mund të nxjerr një kryetar dhe kryesi stabile, që do ta këndellte partinë brenda një kohe jo të gjatë.

LDK’së i nevojiten zgjedhje të lira, fer dhe transperente në të gjitha strukturat, e jo improvizime çfarë mund të jetë kuvendi i ardhshëm. Bazuar në praktikat e deritashme, nuk përjashtohet mundësia që kryetari i ri i partisë të zgjedhet me një marrëveshje paraprake ndërmjet njerëzve të rëndësishëm të LDK-së.

Për të pasur një kuvend fer dhe demokratik së pari duhet ndryshuar statuti jodemokratik i partisë.

Çdo përpjekje e “gardës së vjetër” për të pasur sa më shumë ndikim në zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë nuk është e shëndetshme për partinë. “Garda e vjetër” duhet të marrë përgjegjësinë për debaklin dhe të krijojë ambient për garë fer dhe korrekte.

Megjithatë është pak e besueshme, të paktën tash për tash, që kuvendi të prodhojë ndonjë zgjidhje përtej zgjedhjes së emrave si Lutfi Haziri ose Arban Abrashi kryetar, si një kompromis brendapartiak, pavarësisht se edhe këta dy mbajnë pjesën e vet të madhe të përgjegjësisë për katandisjen e partisë.

Aq i rëndësishëm sa fakti se kush do të jetë kryetar partie është edhe pozicionimi tash e tutje në strukturat partiake i njerëzve të rëndësishëm të LDK’së, atyre rreth Isa Mustafës, veçanërisht i Agim Veliut.

* * *

Nuk ka mesazh më të qartë sesa rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit për Isa Mustafën dhe grupin rreth tij. Ata janë përgjegjësit kryesorë për humbjen dhe duhet të tërhiqen. Pavarësisht se tërheqja nuk do të jetë e lehtë. Sepse, nuk bëhet fjalë vetëm për tërheqjen e dy a tre emrave si të tillë, por edhe për humbjen e fuqisë politike dhe mundësinë e humbjes së privilegjeve të shumta, kryesisht financiare, për vete dhe për të vetët.

Deri më tash LDK ishte parti e kapur nga kreu i saj. Nëse ndikimi i kreut të deritashëm vazhdon të jetë i madh në vendimmarrje edhe në të ardhmen, ka pak gjasa që partia të mundet të frymojë lirshëm. Nëse edhe kësaj here anëtarësia dhe strukturat e LDK’së nuk vlerësojnë drejt dhe nuk e adresojnë përgjegjësinë siç duhet, atëherë vështirë se mund të flitet madje as për shpresë në këndelljen e partisë. Për rikthim, si parti e madhe, jo se jo.