Shtetet e Bashkuara të Amerikës të zhgënjyera me Vjosa Osmanin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zhgënjyera me Kandidaten e LDK-së për Kryeministre, Vjosa Osmanin, për shkak të disa qëndrimeve që ajo ka mbajtur, e të cilat lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me interesat amerikane.

Burimet thonë se zyrtarë amerikanë janë të dëshpëruar me qasjen e Vjosa Osmanit ndaj Dialogut Kosovë-Serbi, i cili është bllokuar tash e një vit, si dhe me qëndrimet e saj për Termocentralin “Kosova e Re”.

Deklaratat e Osmanit lidhur me arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat kryesisht kanë shkuar kundër asaj që presin SHBA dhe BE, kanë bërë që ajo të mos shihet si njeriu i duhur për këtë proces.

SHBA e ka bërë të qartë tashmë që pret menjëherë fillimin e Dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa Presidenti Donald Trump ka përzgjedhur t’ia besojë përgjegjësinë për këtë proces Richard Grenell, Ambasadorit të SHBA-së në Gjermani.

Emërimi i Grenell si i Dërguar i Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi, siç vlerësohet, pasqyron angazhimin e Presidentit Trump për të arritur një marrëveshje paqeje afatgjatë midis Kosovës dhe Serbisë.

Vjosa Osmani, siç thonë burimet, përveç Dialogut, po ashtu ka prekur edhe në një çështje të ndjeshme në relacionet e Kosovës me SHBA-të, lidhur me Termocentralin “Kosova e Re’, jetësimi i të cilit do të varet nga partia që e merr pushtetin, pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e këtij Termocentrali me kapacitet 500 megavat, i cili do kushtojë 1.3 miliard euro.

Vjosa Osmani, siç thuhet, ka deklaruar se do ta rishikojë këtë projekt, duke nxitur kështu hidhërimin e partnerëve amerikanë.

Kundër këtij projekti ka dalë edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Vjosa Osmani kishte dalë kundër amerikanëve edhe para tre vjetësh, kur kërkohej votimi i Demarkacionit me Malin e Zi.