Objekti i ndërtuar në tokë bujqësore në fshatin Sredskë, pronë e gjykatësit Artan Sejranit, paraqitet si villë, por leja ndërtimore është dhënë vetëm për një objekt bujqësor.
Ky objekt është villë apo shtëpi banimi.
Është ndërtuar në tokë bujqësore në fshatin Sredskë, që gjendet rreth 20 minuta larg Prizrenit në drejtim të Prevallës, raporton Betimi për Drejtësi.
Objekti që shihet se është villë, është në pronësi të Artan Sejranit, gjykatës në Gjykatën Themelore në Prizren.
Por, leja në fakt nuk është për villë.
Leja ndërtimore e lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prizrenit që mbanë datën 17 nëntor 2023, rezulton të jetë lëshuar për objekt bujqësor, ashtu siç edhe kishte kërkuar vetë Sejrani.
“Mormorina: Kërkesa është bërë në vitin 2023, ndërsa leja është lëshu në nëntor të 2023-shit. Kërkesa është bërë për ndërtimin e një objekti bujqësor.
Gazetarja: Dhe duke u bazuar në kushtet ndërtimore është lëshuar poashtu leja për objekt bujqësor, apo jo?
Mormorina: Për objekt bujqësor po”, ka thënë zyrtarja e Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, Afërdita Mormorina.
Leja është lëshuar për ndërtimin e përdheses dhe një kati.
Sipërfaqja ndërtuese e dy kateve është 117 metra katror.
Por, se qëllimi i ndërtimit nuk ishte për objekt bujqësor por për villë, e tregon dhe një argument tjetër.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar projektin e deponuar nga Sejrani në Drejtorin e Urbanizmit.
Bazuar në dokument, projekti rezulton të jetë ndryshe nga ai që në fakt është realizuar në terren.
Projekti i deponuar mbi bazën e së cilit edhe është lëshuar leja ndërtimore, rezulton t’i ngjajë një objekti bujqësorë.
Ndërsa, gjendja faktike në terren e tregon të kundërtën, objekti rezulton të jetë villë banimi.
Nga pamja e dy mureve të jashtme të objektit shihet se në total janë ndryshuar gjithsej 8 detaje.
Në hyrje të objektit, anash derës hyrëse është shtuar një dritare, si dhe në katin e dytë dritarja del të jetë me dimensione më të mëdha sesa në projekt.
Ndërsa, në murin tjetër rezulton të jetë ndryshimet më të mëdha.
Në katin e parë dy xhamat janë bashkuar dhe janë vendosur deri në tokë, duke i ofruar dhomës së qëndrimit ditor një pamje më të madhe në drejtim të malit.
Ndërsa në katin e dytë janë shtuar dy xhama të vegjël, xhami i dhomës është vendosur deri në tokë, si dhe është hequr kulmi dhe vendosur ballkoni.
Ndërsa, nga jashtë shihet se kati i parë është mobiluar me një ambient qëndrimi ditor.
Kësisoj, me këto ndryshime, Sejrani prakitikisht e ka kaluar objektin bujqësor në villë banimi.