Sveçla i druhet eskalimit të situatës në veri

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosje, Xhelal Sveçla ka thënë se i druhet një eskalimi të paralajmëruar të situatës në veri.

Në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se lajmet e fundit janë se ka rrezik për eskalim të situatës në veri.

“Institucionet e Kosovës kanë thënë se janë të gatshëm të përballen me çfarëdolloj situate. Policia ka ndërprerë pushimet, e fakti që ndërpriten pushimet e zyrtarëve të uniformuar tregon se ka vend për shqetësim. Në anën tjetër ka deklarata kërcënuese nga Serbia, qoftë edhe përmes Listës Serbe për të cilën ne e dimë se çfarë është në gjendje të bëjë”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo duhet nuk duhet të ndodhë.

“Jam jashtëzakonisht i frikësuar se mund të ndodhë edhe ndonjë aventurë e Hashim Thaçit, për t’i çuar forcat e armatosura në veri pa asnjë përgatitje paraprake, siç ishte ajo e 25 korrikut kur u vra Enver Zymberi ose ajo kur u arrestua e bë maskarada me Marko Gjuriqin”, ka thënë Sveçla.

Për sa i përket LDK-së e PSD-së, Sveçla thotë se s’sheh gatshimëri tek ata për zgjedhje të reja.

“Është e qartë që nuk dojnë zgjedhje të reja. Qeveria bllokohet përmes akteve tona. Po të vazhdonim me bllokadë do t’a legjitimonim edhe Qeverinë edhe Kuvendin. Është një situatë paradoksale. Kemi Listën Serbe që është në Qeveri por nuk është në mazhorancë”, tha ai.

Për akuzat e PSD-së se VV-ja nuk është e gatshme të rrëzojë Qeverinë, Sveçla thotë se s’është e vërtetë. Madje thotë, sikur të tregohen ata të gatshëm, “do shkojë me vrap”. “Qeveria rrëzohet me 61 vota, ata e dinë këtë matematikë”, tha ai.

Ka folur pak edhe për përplasjet me PSD-në për sa i përket Ndërmarrjes Publike Banesore.

“E vetmja ndërmarrje me sukses është NPB-ja sepse vetë kam qenë aksionar. Kur ne kemi marrë pushtetin, NPB-ja ka pasë 4 mijë euro plus, kurse ka pasë në pronësi 407 lokale e banesa e tokë. Prej atëherë deri tani vlera e kapitali është rritë. Nexhat Kryeziu, është i zgjedhur. Ai e mban pozitën me ligj”, tha ai.


Sveçla thotë se nuk mund ta kuptojnë Thaçin, paralajmëron protesta për ta ndaluar

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaratat në lidhje me dialogun me Serbinë po i ndryshon në vazhdimësi. Sipas tij, ai herë thotë se askush s’mund ta prekë territorin e Kosovës e herë do të ketë kompromise të dhimbshme.

“Realisht gjithë kjo ka të bëjë me kidnapimin e rolit udhëheqës”, thotë Sveçla në Interaktiv të KTV-së.

Deputeti i VV-së thotë se asnjë deklaratë e Thaçit s’mund të kuptohet, pasi asnjëherë nuk flet qartazi.

“Atë nuk mund ta kuptojmë. Njëherë thotë se në korrigjimin e kufijve me Malin e Zi do të kthejmë 8200 hektarë, ndërsa në raport me Serbinë do ta kthejmë Preshevën. Asnjëherë nuk thotë se do humbin Veriun e Kosovës. Thaçi është i paqartë dhe i pabesueshëm, ai është ndër personat më jokredibil dhe është më i rrezikshmi, si për vendin ashtu edhe për bashkëpunëtorët”, tha ai.

Deklaratat e tij të fundit, Sveçla thotë se janë deklarata të papërgjegjshme dhe të rrezikshme. “Institucionet dhe populli i Kosovës duhet t’ia tregojnë atij vendin”.

I pyetur për deklaratat e Thaçit kur thotë se do të ketë kompromise të reja në këto bisedime, Sveçla thotë “Nuk e di çfarë lloj kompromisesh shtesë mund të bëjmë karshi Serbisë”.

Ai thotë se Lëvizja Vetëvendosje kërkon organizim qytetarë për të ndaluar Thaçin.

“Protestat tona s’kanë të bëjnë vetëm me Thaçin. Por, kjo do të thotë humbje për Kosovën, ne organizohemi që të parandalojmë këtë”, tha ai.

Sveçla nuk i është përgjigjur pyetjes se nëse jo Thaçi, kush do të duhej ta udhëhiqte dialogun.

“Ka pyetje tjera para saj, fillimisht duhet ndaluar këtë njeri”, tha ai në Interaktiv.

Llojin e marrëveshjeve me Serbinë, Sveçla i quan dështime. Ai tha se Vetëvendosja ka kërkuar të sillet një raport e më pas të bisedohet. “Realisht ka shkarje në tema. Tema duhej të ishte ‘çka tash në dialogun me Serbinë, e shumica e deputetëve ishin çka deri tash’”, tha ai.

Deputeti i VV-së, tha se duhet të diskutohet se cila është rruga më e mirë për dialog dhe është e papranueshme që me Serbinë të bisedohet për rregullime të brendshme të Kosovës.

“Hashim Thaçi është duke rrejt, ai është në gjendje të bëjë kompromise të rrezikshme vetëm të mbes në sferën politike”, tha ai.

Formati i dialogut aktual, Sveçla thotë se nuk duhet të vazhdojë.