Tahiri takon gratë llapjane: Nga ju burojnë zgjidhjet më të mira për familjen e shoqërinë

Kandidati për kryetar të Podujevës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka vazhduar me takime në kuadër të diskutimeve dhe analizave për hartimin e programit qeverisës për këtë Komunë.

Tahiri sot ka takuar gra llapjane ku bashkërisht kanë diskutuar për sidat me të cilat ballafaqohen ato.

“Në kuadrin e diskutimeve/analizave për hartimin e programit, takova gra që angazhohen në sfera të ndryshme. Është evidente se në çdo segment një grua hasë në pengesa, në varësi të moshës, punës apo lagjes ku jeton. Por, më impresionon ngjashmëria e dëshirave, kërkesave dhe shpresës për qytetin. Për këtë, ne do të ofrojmë një plan që prodhon zgjidhje, qoftë ato sektoriale, ashtu edhe ato zonale. Nga analizat e dokumenteve, mund të konstatohet se Podujeva renditet ulët, qoftë për nga masat, apo veprimet që ka ndërmarrë për barazi gjinore, e mos të flasim për të siguruar politika të veçanta për përfshirje socio-ekonomike”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka thënë se hapi i parë për të treguar se komuna është e hapur e mbështetëse, që ato të kenë qasje në programe e politika, do të ndërtojmë këndin e lojërave dhe kujdesit për fëmijët në administratën komunale, kjo si tregues se kudo, në çdo veprim e politikë, do të përdorim qasje afirmuese.

“Në secilin segment të trajtimit, gratë kanë rol e kontribut të veçantë, si vajza në familje, si nëna që kujdesen për t’u mësuar hapat e fëmijëve, si edukatore, si kujdestare të familjes, si gjyshe e si shtyllë e familjes. Andaj, ne në varësi të moshës, punës e lagjes, do të prodhojmë zgjidhje të qëndrueshme për kujdesin ndaj fëmijës, për sigurinë, për punësimin, për rrugët, trotuaret, çerdhet, këndet e lojërave, spitalet, për barazinë socio-ekonomike, e për kujdesin në moshat e shtyra. Hapi i parë për të treguar se komuna është e hapur e mbështetëse, që ato të kenë qasje në programe e politika, do të ndërtojmë këndin e lojërave dhe kujdesit për fëmijët në administratën komunale, kjo si tregues se kudo, në çdo veprim e politikë, do të përdorim qasje afirmuese. Nga këtu, me pjesëmarrje e përfaqësim të barabartë, gratë do t’i prodhojnë zgjidhjet më të mira për fëmijët, familjen e shoqërinë”, është shtuar Tahiri.

Tahiri ka thënë se është koha që të zhvillohet Podujeva.

“Investimet në lagje, fshat, apo politikat sektoriale, gjithnjë do të kenë parasysh interesin e grave, duke u reflektuar në buxhetimin e përgjegjshëm gjinor. Zonat zhvillimore, politikat sektoriale do të adresojnë specifikisht nevojat e kërkesat, ndërkaq Zyra për Strategji dhe Zhvillim, do të bashkë-hartojë programe, projekte me gratë në bujqësi, ekonomi apo edukim. Ato dinë e janë̈ të zonja, të udhëheqin familjen e institucionet, si mësuese, mjeke, shërbyese publike, police, të drejtojnë biznese e të krijojnë politika.Tash është koha që bashkërisht ta zhvillojmë Podujevën!”, ka përfunduar kandidati për të parin e Podujevës, Besnik Tahiri.