Të martën mund të ketë seancë të jashtëzakonshme për ‘gylenistët’, ky është paralajmërimi i Dedës

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka thënë se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, e cila pritet të mbahet ditën e martë, duhet të ketë rezultat krijimin e Komisionit hetimor parlamentar për rastin e gjashtë shtetasve turq.

Postimi i deputetit Deda në Facebook:

Javë e ardhshme, sipas të gjitha gjasave, do të ketë seance të jashtëzakonshme të Kuvendit në lidhje me veprimet e errëta të shtetit tonë me gjashtë shtetasit turq.(Shtyp mbi pamjen e mëposhtme dhe shikoje ⤵)

Rezultat i kësaj seance duhet të jetë krijimi i Komisionit hetimor parlamentar, që në mënyrë institucionale i identifikon shkelësit e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, shkelësit e të drejtave elementare të njeriut, dhe na kthjellë nga “mjegulla” e përgjegjësisë komanduese shtetërore në sektorin e sigurisë dhe deportimin e paligjshëm të shtetasve turq.

Themelet e çara të shtetit tonë do të sanohen sado pak vetëm me ndëshkim të të gjithë përgjegjësve. Turpi shtetëror, në anën tjetër, do të merr kohë të gjatë të kalojë.

Kujtojmë se dje Lidhja Demokratike e Kosovës, me mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Grupit të Deputetëve të Pavarur, kanë mbledhur nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme për rastin e arrestimit dhe të deportimit të gjashtë shtetasve turq të lidhur me Gylenin.