Thaçi: Ushtria formohet sivjet, s’mund ta ndal askush brenda apo jashtë vendit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ripërsëritur se Kosova do të bëhet me ushtri këtë vit.

Ai ka thënë se askush brenda apo jashtë vendit nuk mund ta ndalojë këtë proces.

“Forcat e armatosura të Kosovës do të formohen gjatë këtij viti, në një proces të koordinuar me NATO’n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Do të jetë një forcë e standardeve të NATO’s. Një forcë multietnike. Do të jetë ushtri e mirëfilltë e një vendi të pavarur dhe sovran. Do të punojmë edhe në kampanjën që kemi filluar për përfshirjen e të gjitha komuniteteve në këtë ushtri të ardhshme të Kosovës si parakusht për partneritet dhe anëtarësim në NATO dhe theksoj se Forcat e Armatosura të Kosovës do të themelohen gjatë këtij viti dhe askush nuk do të mund ta pengojë qoftë ndonjë faktor brenda apo nga faktorët jashtë Kosovës”, ka thënë Thaçi për RTK-në.

Presidenti ka theksuar se askush nuk e ka të drejtën e vetos.

“Ky është vullneti i qytetarëve të Kosovës. Është vendimi i institucioneve të Kosovës për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”.