Ka nga ata që thonë se Donald Trump, përveçse është MAGA, është edhe “TACO”, një shprehje ‘e lindur’ në Wall Street që është akronim për “Trump Always Chicken Out”, domethënë Trump gjithmonë ‘tërhiqet si një pulë’.
Pas një sjelljeje agresive në Ditën e Çlirimit, duke tronditur bursat, Trump ka përfunduar pothuajse gjithmonë duke bërë pas.
Shembulli i fundit i kësaj sjelljeje ka qenë me Zvicrën. Më 31 korrik, pas një diskutimi telefonik me Presidenten e Konfederatës, Karin Keller Sutter, Trump njoftoi në datën 1 gusht, ditë kombëtare zvicerane, se do ketë tarifa doganore për produktet zvicerane në 39%, pothuajse tre herë më shumë se ato të negociuara nga Ursula von der Leyen për Bashkimin Evropian.
Për industrinë zvicerane, këto tarifa kanë sjellë humbjen e të paktën 100 mijë vendeve të punës dhe mbylljen e shumë bizneseve të vogla dhe të mesme. Më 14 nëntor erdhi kthesa: tarifat për produktet zvicerane u ulën në 15%, raporton La Repubblica.
Çfarë ndodhi në dy muaj e gjysmë? Presidentja Keller Sutter u largua nga çështja e tarifave, ndërsa Ministri i Ekonomisë, Guy Parmelin, mori rolin kyç duke udhëtuar shpesh për të takuar ambasadorin Jamieson Greer, i ngarkuar nga Trump për këtë çështje.
Më 4 nëntor, Trump takoi në Shtëpinë e Bardhë 6 nga biznesmenët më të mëdhenj zviceranë, të cilët i dhuruan një Rolex dhe një lingotë ari.
Dhjetë ditë më pas, Berna dhe Uashington konfirmuan se tarifat mbi produktet “made in Switzerland” do të ulen në 15%.
Në një konferencë për shtyp, Parmelin falënderoi “Presidentin Trump për angazhimin konstruktiv” dhe tha se “tani jemi përsëri konkurrues. Kompanitë zvicerane do të investojnë 200 miliardë dollarë në SHBA”, kryesisht në industrinë farmaceutike, ndërsa çështjet e produkteve të tjera kyçe, si djathi dhe orët, mbetet në pritje.
Në fund, tarifat u përgjysmuan dhe mbetet të shihet se çfarë do të shpikin sërish tregtarët e Wall Street për këtë hap pas të Trump.
Megjithatë, Zvicra ka hequr dorë edhe nga pak sovraniteti i saj, ashtu si me sekretin bankar dhe pranimet mbi përgjegjësinë për pasuritë e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. / abcnews.al /













