Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka dërguar një letër homologut izraelit, Isaac Herzog, duke i kërkuar formalisht që ta falë kryeministrin Benjamin Netanyahu, i cili po gjykohet për korrupsion.
“Është nder për mua që t’ju shkruaj juve në këtë kohë historike, kur së bashku e kemi siguruar paqen që është kërkuar për të paktën 3.000 vjet” – thuhet në letrën e kreut të Shtëpisë së Bardhë, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Unë rrjedhimisht ju bëj thirrje që ta falni plotësisht Benjamin Netanyahun, i cili ka qenë kryeministër i frikshëm e vendimtar në kohë lufte dhe tani po e drejton Izraelin drejt një kohe të paqes, e cila e përfshin punën time të vazhdueshme me udhëheqës kyçë të Lindjes së Mesme për t’iu shtuar shumë shteteve shtesë në Akordet e Abrahamit që po e ndryshojnë botën” – thuhet më tej në letër.
“Unë absolutisht e respektoj pavarësinë e sistemit izraelit të drejtësisë” – vazhdoi Trumpi, por shtoi se akuzat për korrupsion kundër Netanyahut janë “politike, përndjekje e pajustifikuar”.
“Isaac, ne kemi ndërtuar një marrëdhënie të shkëlqyeshme, për të cilën unë jam shumë falënderues dhe i nderuar me të, dhe ne u pajtuan porsa u inaugurova në janar që fokusi duhej të ishte i përqendruar në kthimin e pengjeve më në fund në shtëpi dhe arritjen e marrëveshjes së paqes” – thuhet në letrën e Trumpit, ku i drejtohet në veten e dytë njëjës e me emër homologut izraelit.
“Tani që ne i kemi arritur këto suksese të pashembullta dhe po e mbajmë Hamasin nën kontroll, është koha që ta lejojmë Bibin [Netanyahun] që ta bashkojë Izraelin duke e falur atë dhe duke i dhënë fund luftës ligjore një herë e mirë” – shtoi presidenti amerikan.
Trumpi e kishte të njëjtën kërkesë ndaj presidentit izraelit edhe gjatë fjalimit të tij muajin e kaluar në Kuvendin e Izraelit.













