U tha se organizuan sulmin ndaj Përparim Ramës, reagon VV: Gjithçka është e pavërtetë, lajmet janë tendencioze!

Pasditen e sotme është sulmuar me vezë, kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e LDK-së, Përparim Rama.

Pas këtij sulmi, zëdhënësja e PSD-së tha për “Gazeta Blic” se të rinjtë që sulmuan me vezë brohorisnin Vetëvendosje.

“Gjatë një takimi me qytetarët e lagjes “Kodra e Trimave” në oborrin e shkollës ‘Zenel Hajdini’ u sulmuam me vezë nga një grup i të rinjëve, të cilët gjithashtu brohorisnin Vetëvendosje. Nuk ka vend për panikë, Përparimi po vjen për Prishtinën!” tha Halimi.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i LVV-së, dega Prishtinë.

Ata e kanë mohuar kategorisht që kanë organizuar një veprim të tillë.

Reagimi i plotë:

Reagim ndaj lajmit të rremë

Sapo u njoftuam nga mediat se disa përsona paskan hedhur vezë në një tubim ku ka qenë prezent kandidatit për kryetar të Prishtinës nga rradhët e LDK-së. Këto lajme janë të pavërteta dhe tendencioze. Aksionet e aktivistëve tanë kanë qenë gjithmonë publike.

Pra edhe njëherë ritheksojmë së këto veprime nuk janë organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!