Urimi i kryetarit Bahtiri për festat e 28 Nëntorit

Me rastin e festave të nëntorit, 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar, ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jasharit dhe daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të gjithë shqiptarëve, veçanërisht qytetarëve të komunës së Mitrovicës, kryetari Bahtiri sot ka shprehur urimet më të përzemërta dhe më të sinqerta për këto festa të mëdha.

“Ne mitrovicasit gjithmonë kemi një arsye më  shumë që 28 Nëntorin ta kremtojmë në mënyrë madhështore e dinjitoze. Mitrovica dhe mitrovicasit janë krenarë që njëri nga djemtë më të shquar të këtij trualli, heroi Isë Boletini, përfaqësoi Kosovën në ngritjen e Flamurit Kombëtar me 1912, duke e shpallur kështu pavarësinë e Shqipërisë.

Heroi kombëtar Isë Boletini, heronjtë dhe dëshmorët tjerë, si dhe veprimtarët e shumtë të shquar të çështjes kombëtare nga komuna jonë,  për  kontributin që kanë dhënë për të mirën e kombit, për Shqipërinë e Kosovën,  për jetë e mot do të mbesin të nderuar e të vlerësuar.

Ata për ne janë burim i frymëzimit për ta dashur Kosovën, Shqipërinë dhe Flamurin tonë kombëtar, si dhe për ta prosperuar Mitrovicën e Kosovën.

Të nderuar qytetarë të Mitrovicës, duke ju uruar edhe njëherë këto festa në emrin tim personal, në emër të bashkëpunëtorëve dhe të institucioneve komunale që unë i drejtoj, si dhe duke ju dëshiruar shëndet të plotë e mirëqenie, ju garantoj se 28 Nëntorin e vitit 2018, do ta presim me suksese akoma më të mira në të gjitha fushat e jetës e të punës.”, thuhet në urimin e kryetarit Bahtiri.