Vetëm LVV zbulon shpenzimet e fushatës

Shpenzimet e partive politike, për shkak të mungesës së transparencës vazhdojnë të mbeten të mbyllura duke mos deklaruar saktë harxhimet.

Përveç Lëvizjes Vetëvendosje që ka pranuar të tregojë vlerën e pretenduar të shpenzimeve para dhe gjatë fushatës, asnjë parti tjetër politike e kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, nuk ka qenë e gatshme të përgjigjet për shumën e ndarë. Bekim Gashi, drejtues i sekretariatit për Financa në Lëvizjen e Vetëvendosjes, tha për Radion Evropa e Lirë se “shuma maksimale që Vetëvendosje ka planifikuar të shpenzojë për zgjedhje, që përfshinë periudhën nga 22 gusht deri me 6 tetor, është 565 mijë euro”.

Sipas tij, Vetëvendosje nuk disponon me një shumë të tillë të parave për shpenzim, por pret mbështetjen e qytetarëve përmes donacioneve.Një pjesë e mjeteve, thotë Gashi, është kursyer nga Fondi për Demokratizim të Subjekteve Politike, nga pagesa e kuotës së anëtarësisë, si dhe shuma tjetër nga donacionet prej qytetarëve.

Partitë tjera politike ndërkaq, nuk kanë ofruar asnjë përgjigje në lidhje me shpenzimet e tyre.

Po ashtu, në faqet e tyre të internetit nuk ekziston mundësia që të merren shënime rreth hyrje-daljeve, kur është në pyetje aspekti financiar.Në Kosovë, sipas shoqërisë civile, ekzistojnë disa kompani private, që financojnë gati secilën parti politike, e të cilat më pas shpërblehen me dhënien e tenderëve publikë nga partia apo partitë që vijnë në pushtet.

Financimi transparent i partive politike është kërkesë edhe e Bashkimit Evropian dhe përsëritet nëpër raportet e progresit që publikon Komisioni Evropian.

Aty thuhet se transparenca e financimit të partive politike paraqet një komponentë esenciale të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.