Vizita e Lajçakut: Ky është qëllimi i ardhjes së tij në Kosovë

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak sot po qëndron për vizitë në Kosovë.

Lajçak është takuar me presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Albin Kurti, shkruan FrontOnline.

Por, cili është qëllimi i vizitës së tij në Kosovë?

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Demush Shasha në një prononcim për FrontOnline ka thënë se arsyeja e vizitës është që të ketë progres në çështjen e dialogut.

Sipas tij, shkaku është që të ketë takim tre palësh në Bruksel, e jo siç ndodhi herën e fundit që takimet u mbajtën ndaras.

“Vizita është në kuadër të përpjekjeve të Lajçakut që dialogu në këtë sfond të bëjë progres. Tani një gjë që mund të jetë konkrete mund të themi është tentativa e z.Lajçak që të kalojë pengesat qoftë në Serbi qoftë në Kosovë për mbajtjen e një takimi tre palësh sepse siç kemi para nga takimi i fundit në Bruksel z.Lajçak nuk ka mundur që t’i bëjë bashkë të dyja palët”, ka thënë Shasha për FrontOnline.

Sipas tij, takimet e ndara në Bruksel tregojnë qartë që ka pengesa politike në këtë çështje.

Ndërsa, thotë se pavarësisht kësaj nuk është optimist që para zgjedhjeve në Serbi që do të mbahen në prill të vitit të ardhshëm do të ketë progres në dialog.

“Unë nuk jam optimist për ndonjë progres të ndjeshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi deri në përfundimin e zgjedhjeve në Serbi , pra deri sa atje nuk përfundojnë zgjedhjet unë nuk besoj që z.Vuçiq do të lejojë zhvillime në kuadër të dialogut të cilat ato mund të kushtojnë në votë, pra jam pesimist që mund të ketë progres deri në përfundimin e zgjedhjeve”, është shprehur Shasha.

Për arsyen e vizitës së Lajçak dhe qëllimin e saj , FrontOnline ka kërkuar përgjigje edhe në zyrën e Bashkimit Evropian por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Shasha: Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe ka pezulluar dialogun

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare Demush Shasha në një prononcim për FrontOnline thotë se është pikërisht çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e cila ka pezulluar dialogun.

“Po, pikërisht çështja e Asociacionit po e pezullon dialogun, pra është kërkesa kryesore e Serbisë, e përveç që është kërkesë e Serbisë ju keni pa që Bashkimi Evropian e përsërit këtë fjalinë e zakonshme që presin që Kosova do të respektojë obligimet e saja ndërkombëtare dhe është përgjegjësi e Kosovës që të merr hapa për të respektuar marrëveshjen përkitazi me Asociacionin”, ka thënë Shasha për FrontOnline.

Sipas tij kjo temë do të jetë kryesore në dialog.

“Patjetër se Asociacioni do të jetë një nga temat kryesore në kuadër të zhvillimeve të brendshme në dialog”, ka deklaruar ai.

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare: Marrëveshja finale Kosovë-Serbi do të arrihet në mandatin e presidentit Biden

Është vështirë të dihet saktë se kur do të ketë marrëveshje finale Kosovë-Serbi.

Kështu ka deklaruar në një prononcim për FrontOnline, njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Demush Shasha.

Por, thotë se pavarësisht kësaj marrëveshja do të arrihet në kohën e presidentit Joe Biden.

“Është tejet vështirë një gjë e tillë, është tejet vështirë me paragjyku një gjë të tillë por unë jam optimist, që gjatë mandatit të presidentit Biden do të ketë marrëveshje”, është shprehur Shasha.

Ai shpjegon edhe arsyet se përse e thotë këtë.

“Po e them këtë sepse ne po shohim që z.Biden ka një ndjeshmëri, një vëmendje të veçantë për rajonin e Ballkanit, e pastaj edhe më të veçantë sa i përket çështjes së Kosovës, pra kjo është e para le të themi e para çështje personale dhe përfshirja personale sa i përket kësaj, e dyta është se si jemi duke parë kohëve të fundit z.Biden është duke dërguar disa nga diplomatët më të afërt, më të respektueshëm të ShBA-së, nga rangu i profilit të lartë siç është Christofer Hill nuk dërgohet dhe ai vet nuk pranon të vie si ambasador nëse paraprakisht nuk ka një dakordancë që gjatë mandatit të tij do të ketë progres të ndjeshëm sa i përket zhvillimeve në Ballkan, pra emërimet e fundit në Ballkan japin sinjal inkurajues që gjatë kohës së presidentit Biden do të kemi një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Shasha.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për dialog, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq janë takuar në Bruksel më 16 nëntor, derisa takimet mes tyre me emisarin Miroslav Lajçak janë zhvilluar ndaras.