Vushtrri: Qentë endacakë do të trajtohen në Gjermani

Një gjerman, Franz Wiedemer, ka vendosur ta ndërtojë një qendër për qentë endacakë në Vushtrri, ndërsa pjesë e projektit është edhe transferimi i qenve endacakë në një strehimore në Gjermani. Në jug të Mitrovicës dështon projekti për strehimore të qenve, ndërsa autoritetet në veri kërkojnë donator për një “qendër azili” për qentë endacakë të asaj pjese, shkruan sot, gazeta Zeri.

Një qytetar gjerman, i cili menaxhon me një qendër për mbrojtjen e kafshëve, do ta realizojë një projekt për mbrojtjen e qenve endacakë të komunës së Vushtrrisë. Ai ka takuar autoritetet komunale të Vushtrrisë dhe ka shpalosur projektin e tij.

Gjermani Franz Wiedemer, kryetar i Qendrës për Mbrojtjen e Kafshëve, ka takuar strukturat komunale të Vushtrrisë, të cilët i ka njoftuar për projektin. Ai tha se ka vërejtur në rajonin e komunës së Vushtrrisë, si dhe në qytet shumë rrugë me prezencë të madhe të qenve endacakë, të cilët paraqesin rrezik për kalimtarët, sidomos për fëmijët.

 

Ai sqaroi se qendra me të cilën ai menaxhon në Gjermani “Tierhilfe-Seck” trajton qentë endacakë dhe siguron mbrojtjen e tyre me standardet e BE-së. Wiedemer ka kërkuar nga Komuna e Vushtrrisë sigurimin e një lokacioni për ndërtimin e një qendre të tillë, e cila do të ngrihej me mjetet financiare të tij, shkruan Zeri.

Gjermani, duke shpalosur programin, tregoi për të gjitha kushtet e ofruara, siç janë strehimi, vaksinimi, trajtimi adekuat konform standardeve të BE-së, kurse pas një periudhe të caktuar kohore, siç ka siguruar Wiedemer, një pjesë e qenve do të transportohen në qendrat në Gjermani.

“Tierhilfe-Seck”, ka thënë Wiedemer, deri më tash ka hapur tri qendra për qentë endacakë, në Rumani, në Greqi dhe në Hungari, të cilat operojnë me sukses.