VV-ja kundërshton pezullimin e taksës ndaj Serbisë: Me këtë vendim, po ndihemi shtet!

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Liburn Aliu ka kundërshtuar idenë për pezullim të taksës ndaj shtetit serb deri në përfundimin negociatave në Bruksel, duke thënë se ky vendim do ta dëmtonte pozicionin e vendit ndaj Serbisë.

“Këtu dëgjova që mund të hiqet taksa në rast se bëhet fjalë për një konferencë përmbyllese dhe të heqet taksa para se të filloj dialogu, por kjo e dobëson Kosovën para Serbisë. Nuk duhet të hiqet taksa pa u ndryshu qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës”, tha Aliu në emisionin “Rubikon” të KTV-së.

Aliu, tha se taksa ka qenë një veprim i thjeshtë dhe një kundërpërgjigje normale. “Ka qenë një veprim I duhur, I cili nuk I prish marrëdhëniet me Shtetet e Amerikës”, u shpreh ai.

Tutje, numri dy i VV-së u shpreh se ka qenë inkurajuese deklarata e Kryeministrit Ramush Haradinaj, në konferencën e sotme për media pas takimit me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

“Nga ajo që ka deklaruar kryeministri është inkurajuese. Veprimi ëshë I duhur dhe ai veprim duhet të mbahet. Ne mendojmë se pasojat do të vërehen nëse do të hiqën. Është një veprim I duhur që edhe qytetarët I ka bërë të ndihen që kemi shtet”, tha ai.

Shefi i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj, Avni Arifi thotë se mund ta heqin taksën përkohësisht ndaj shtetit serb në rast se fillojnë negociatat me një seriozitet me të madh.Në të kundërten, sipas Arifit nuk ndryshon ky vendim i qeverisë.

“Ka qenë takim pak më ndryshe se të tjerët, sepse çdo javë kemi takim me ambasadorin amerikan. Takimin e sotëm mund ta përkufizojë vetëm si konstruktiv, për modalitetet e avancimit të dialogut, i cili si proces ka ngecur.

Nuk kemi pasur ultimatum. Pozicionet e të dy palëve janë të qarta për opinonin dhe nuk ka ndryshime.Nëse mund të flitet për një seriozitet më të madh të bisedimeve, pershëmbull nëse planifikohet të nis nga data 1 shkurt deri me 28 shkurt atëherë mund ta pezullojmë taksën për atë kohë”, ka thënë Arifi, në emisionin Rubikon të KTV-së.