Zyrtari i lartë amerikan ua përsëritë deklaratën që nuk u pëlqeu serbëve

Një deklaratë e zëvendësit të ndihmës-sekretarit amerikan të shtetit, Bryan Hoyt Yee, se Serbia nuk mund të ulet njëkohësisht në dy karrige, duke aluduar lojën e dyfishtë në mes të Rusisë dhe BE’së, kishte ngjallur reagime të ashpra në Serbi.

Ministri i jashtëm Ivica Dacic ishte ankuar për këtë deklaratë edhe drejtpërdrejt te sekretari amerikan i shtetit, Rex Tilerson. Madje, kishte marrë guximin edhe të “këshillonte” atë se kush duhej të merrte vendime në politikën e jashtme të SHBA’ve, përcjellë GazetaMetro.net

“I tërhoqa vëmendjen në atë se ndryshimet në politikën amerikane duhet të i bëjnë vetëm presidenti, zëvendës-presidenti dhe ministri i jashtëm, duke marrë parasysh  që përfaqësuesit e establishmentit të vjetër nuk mund t’a bëjnë këtë, sepse e mbrojnë politikën e tyre të viteve 1990”, kishte thënë Dacic për bisedën e shkurtër me Tillerson në mbledhjen e këshillit të ministrave të OSBE’së në Vjenë.

“Serbia mund të ketë marrëdhënie më të mira me Amerikën, vetëm nëse përqendrohet tek Trump dhe administrata e tij. Kur e them këtë, mendoj në Tillerson dhe Pens, jo në Departamentin e Shtetit. Sepse në departamentin e shtetit ende punojnë njerëzit që e kanë shkruar krejt atë çfarë ka ndodhur në 20-30 vitet e fundit. Ata nuk ndryshojnë mendje”, ishte shprehur ai.

Të enjten, pikërisht personi që mban pozitë të lartë në State Department, Brian Hoyt Yee e ka përsëritur deklaratën e tij, edhe pse në një version më të butë.

“Ne konsiderohemi miq dhe partnerë të Serbisë, dhe miqtë e vërtetë nuk janë ata që flasin atë që dëshironi të dëgjoni, por atë që duhet të dëgjoni”, ka theksuar Zëvendës Ndihmës i Sekretarit të Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, përcjellë GazetaMetro.net

“Mendoj se si miq dhe partnerë të Serbisë, duhet të i themi qartë Serbisë se e ka mundësinë të përshpejtojë procesin drejt BE’së. Ky nuk është vendim i yni, por i Serbisë. Ata duhet të vendosin në cilën ulëse dëshirojnë të ulen, mendoj që ata duhet të vendosin si të ecin më shpejtë përpara”, u shpreh Yee.

Kryministrja serbe, Ana Brnabic, tha ditë më parë se Serbia nuk do të hiqte dorë nga marrëdhëniet me Rusinë, për të përshpejtuar rrugën e anëtarësimit në BE.