Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës, një koalicion i sindikatave dhe grupeve të ndryshme, përfshirë Sindikatën e Re të KEK-ut, Kolektivin Feminist, Qendrën Sociale “Përpjekja” dhe aktivistë të pavarur, organizuan një marsh protestues në Prishtinë. Protesta kishte për qëllim adresimin e kushteve të vështira të punës, rritjen e inflacionit dhe mungesën e të drejtave për punëtorët.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, theksoi se protesta është një nevojë urgjente për të përballuar sfidat me të cilat përballen punëtorët, veçanërisht ata të sektorit energjetik. Ai u shpreh se rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe produktet e tjera kanë vështirësuar jetesën për punëtorët, ndërkohë që ata vazhdojnë të rrezikojnë jetën e tyre në kushte të pasigurta.
“Sot jemi më 1 Maj, ditë simbolike që shënohet çdokund në botë me protesta. Kemi vendosur edhe ne, për arsye se kemi për çka të bëjmë protestë. Inflacioni i kohëve të fundit që lidhet me çmimin e energjisë elektrike dhe produktet varëse. Punëtorët e KEK-ut punojnë, sfidojnë, rrezikojnë jetë dhe vdesin 1 për qind e stafit si rezultat i sëmundjeve profesionale që ne dyshojmë që marrin gjatë procesit të punës e pasurohet KEDS-i në këtë rast. Korporata energjetike e Kosovës çmimin e energjisë elektrike e shet 29 euro e 50 centë që nga viti 2019 qe gjashtë vjet, ndërsa për KEDS-in është ngritur katër herë çmimi i energjisë elektrike. Si rezultat i kësaj, ne po punojmë, ata po bëhen milionerë. Për këtë arsye, kërkojmë ngritje të pagave, respektim të të drejtave ligjore,” tha Llumnica.
Ndërsa Anita Nitaj nga Kolektivi Feminist foli për pabarazinë gjinore dhe barrën shtesë që gratë mbajnë në shoqëri, duke theksuar se gratë përballen me pasiguri ekonomike të vazhdueshme dhe shpesh janë të margjinalizuara, sidomos në aspektin e punës.
“Sot jemi mbledhur, jo vetëm për të kujtuar 1 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, por edhe për të ngritur zërin kundër padrejtësive që vazhdojnë të na rëndojnë mbi supet çdo ditë. Gratë në këtë shoqëri punojnë dy herë: një herë në vendin e punës dhe pastaj në shtëpi, ku puna e tyre nuk njihet, nuk paguhet, nuk respektohet. Është një punë e heshtur, që mbahet mbi supet e tyre si një detyrë e natyrshme. Por sa herë që diskutohet ekonomia, gratë as nuk përmenden. Ndërkohë, paga minimale në Kosovë nuk është për të jetuar. Është për mbijetesë. Dhe shpesh nuk është e mjaftueshme as për këtë. Çdo muaj punëtorët përballen me zgjedhje të pamundura: të paguajnë qiranë apo të blejnë ilaçe? Të mbushin frigoriferin apo të paguajnë energjinë elektrike? Dhe kur ngrenë zërin, u thuhet se duhet të jenë mirënjohës që kanë një punë. Kjo nuk është punë. Ky është shfrytëzim. Në më pak se gjashtë muaj, dhjetë punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës, jo nga një aksident, por nga neglizhenca, mungesa e kushteve dhe përbuzja për jetën e tyre,” tha Nitaj.