Avokati Tomë Gashi ka deklaruar se pretendimet për përçarje mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit janë dëshira të partive opozitare dhe nuk pasqyrojnë realitetin.
Sipas tij, si Kurti ashtu edhe Osmani kanë pasur rezultate të jashtëzakonshme, ndërsa kanë role të ndryshme, por janë të bashkuar në qëndrime.
“Ato janë dëshira të atyre që flasin në emër të partive opozitare, por realiteti është ndryshe. Ne kemi pasë rezultate jashtëzakonshme të mira edhe të Kurtit edhe të Osmanit, ata kanë deklaruar që janë bashkarisht, por rolet i kanë të ndryshme”, thotë Tomë Gashi për GazetaBlic.
Gashi theksoi se opozita synon të krijojë perceptim për krisje në raporte dhe të shkaktojë vonesa në zgjedhjen e presidentit/es së ardhshëm, por ai u shpreh i bindur “një miliard për qind” se Vjosa Osmani do të jetë presidente e Kosovës.
Ai shtoi se opozita nuk ka alternativë tjetër përveçse të marrë pjesë në Kuvend kur të bëhet rizgjedhja.
“Partitë opozitare dëshirojnë që të ketë një lloj përçarje apo krisje të raporteve dhe që të kemi vonesa në zgjedhjen e presidentes/it të ardhshëm, por është e sigurt 1 miliardë për qind që Vjosa Osmani do të jetë presidente e Kosovës”, thotë ai.
“Opozita s’ka qare pa shku në Kuvend kur do të rizgjedhet”, shtoi Gashi për GazetaBlic.















