Me vendimin e marrë më 3 prill 2026, Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ndërkaq ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte refuzuar caktimi i masës së paraburgimit policit Aurel Kaziu, si dhe Edmir Ahmagjokajt dhe Ardit Laskas, të dyshuar për shpërlarje të parave rreth 1 milion euro, shumë me të cilën më 24 shkurt 2026 u kapën në pikën kufitare në Merdar.
“REFUZOHET si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti Special, PPPS.nr.10/2026, i datës 09.03.2026. VËRTETOHET”, thuhet në vendim, shkruan Betimi për Drejtësi.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special më 27 shkurt 2026 mori vendim me të cilin ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj policit Aurel Kaziu, si dhe Edmir Ahmagjokajt dhe Ardit Laskas.
Por, Gjykata e Apelit– Departamenti Special anuloi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe e ktheu çështjen në rivendosje për tre të dyshuarit. Sërish më 9 mars 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë në rivendosje ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve. Ndërkaq, me aktvendimin e 18 marsit 2026, Apeli aprovoi ankesën e PSRK-së dhe caktoi masën e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve. Ndërkaq, Gjykata Supreme e anuloi vendimin e Apelit për caktimin e masës së paraburgimit.
Më 28 mars 2026, “Betimi për Drejtësi” raportoi se mbrojtësi i të dyshuarit Edmir Ahmetgjokaj, avokati Fitim Bunjaku, si dhe mbrojtësja e Ardit Laskas, avokatja Adelina Imeri-Hasani, kanë thënë se të dyshuarit ende s’kanë pranuar urdhëresë apo ftesë nga Gjykata Themelore për të shkuar në paraburgim.
Çka thuhej në kërkesën e Prokurorisë?
Ndërkaq, në kërkesën e Prokurorisë Speciale të përpiluar më 25 shkurt 2026, thuhet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit Edmir Ahmagjokaj, Aurel Kaziu dhe Ardit Laska, me dashje dhe duke e ditur se pasuria e caktuar është e fituar përme aktiviteti kriminal, më 24 shkurt 2026 kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës përmes pikës kufitare në Merdar, me automjet të tipis ‘Sprinter’, të cilin e drejtonte pandehuri Ahmagjokaj, e në automjet ndodheshin edhe të pandehurit Kaziu dhe Laska.
Ndërsa, thuhet se gjatë kontrollit të detajuar, nga zyrtarët doganorë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, duke përdorur pajisje teknike, në një hapësirë të modifikuar në bunker, brenda janë gjetur 18 pako me bankënota të prerjeve 10€, 20€, 50€, 100€ dhe 200€, në shumë të përgjithshme sipas vlerësimit fillestar rreth 1 milion euro.
Me këto veprime, thuhet se të pandehurit në bashkëkryerje, kanë fshehur dhe maskuar, burimin dhe vendndodhjen e pasurisë që përbënte fitime nga aktivitet kriminal, kanë transportuar dhe tentuar t’i transferojne mjete financiare me qëllim paraqitjen e tyre si të ligjshme, kanë poseduar dhe ushtruar kontroll mbi këto mjete financiare, duke qenë në dijeni për origiinën e tyre të kundërligjshme.
Me këtë, të pandehurit dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 302 lidhur me neni 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me nenin 56, par.1, pika 1.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimi të Terrorizmit.
Aty thuhet se në deklaratën e dhënë para hetuesve doganorë, Ahmagjokaj deklaroi se s’kishte dijeni për paratë e gjetura në furgon.
Kurse, Kaziu thuhet se deklaroi që ishte nisur nga Tirana për në Gjermani me një furgon blu, të cilin e kishte ndryahur në Kosovë me atë që u ndalua nga Dogana. Tha se furgonin e mori nga kompania, duke shtuar se nuk kishte dijeni për paratë e konfiskuara. Ndërkaq shtoi se kishte qëndruar një natë në Gjermani dhe më pas janë takuar me Ahmagjokajn, duke vazhduar udhëtimin për në Shqipëri.
Edhe Laska, sipas Prokurorisë, mohoi çdo lidhje me paratë e konfiskuara. Tha se më 23 shkurt u nisën bashkë me dy të padehurit tjerë nga Gjerania në Shqipëri.
Në kërkesë, Prokuroria kishte vlerësuar se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit: të pandehurit dyshohen për kryerjen e veprave penale serioze, ekziston rreziku i ikjes në rast se lihen në liri, ekziston rreziku i asgjësimit, fshehjes apo ndryshimit ose falsifikimit të provave, dhe se pesha e veprës penale është e rëndë dhe ka rrezikshmëri të lartë shoqërore.














