Ngjarja në shkollën fillore “Pavarësia” në Prishtinë ka marrë një tjetër rrjedhë pas dëshmisë së psikologut të kësaj shkolle, Nazim Mahmuti. Sipas tij, videoja e publikuar shfaq vetëm momentin e fundit të incidentit, ndërsa pretendon se mësimdhënësi ishte viktimë e një sulmi të organizuar nga një grup nxënësish.
Psikologu Mahmuti ka sqaruar se arsimtari, i cili njihet si një ndër më korrektët në shkollë, u provokua rëndë me fyerje dhe sharje nga një nxënës i klasës së nëntë (A.O.).
Sipas versionit të shkollës, nxënësi ka shfrytëzuar orën e pushimit të mësimdhënësit për t’u futur në sallën e arsimtarëve, vend ky që nuk ka kamera sigurie.
“Ai (nxënësi), shkon i thërret edhe nëntë nxënës të tjerë, pra një grumbull nxënësish. 10 nxënës futen në sallën e arsimtarëve dhe e sulmojnë arsimtarin”, deklaroi psikologu Mahmuti për Zëri, përcjell Insajderi.
Mahmuti pretendon se nxënësit e kanë planifikuar sulmin në një hapësirë pa kamera dhe se videoja që qarkulloi në media tregon vetëm reagimin e mësimdhënësit teksa përpiqej të “neutralizonte” situatën pasi ishte sulmuar dhe fyer rëndë.
Profesori, tashmë është shoqëruar në polici dhe pas intervistimit është ndaluar për 48 orë.















