Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 19 vite burgim Fitim Vatocit, 32-vjeçarin nga Mitrovica i cili akuzohej për vrasjen e Driton Salihut, një burri 49-vjeçar.
Vatoci është dënuar me burgim unik prej 19 vitesh, tha sot gjykata në një njoftim për media, raporton Paparaci.
Sipas aktgjykimit të gjykatës, ai është dënuar me 18 vite burgim për veprën penale vrasje e rëndë, ndërkaq me një vit e gjashtë muaj burgim për veprën penale armëmbajtje pa leje.
“Konform nenin 76 të KPRK-së, trupi gjykues të pandehurit i shqiptoi dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej nëntëmbëdhjetë (19) vjet, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim, i cili dënim do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, tha gjykata në një njoftim për media.
Vatoci, tash 32-vjeçar, në korrik të vitit 2021 e kishte vrarë me armë zjarri 49-vjeçarin Driton Salihu në Mitrovicë, si dhe e kishte plagosur vëllain e tij, 51-vjeçarin Jeton Salihu.