Tre fëmijë të moshës 11 dhe 12-vjeçare kanë gjetur një portofol me para në një rrugë të qytetit në Ferizaj.
Sipas Policisë, portofolin e gjetur nga këta fëmijë, nxënës të një shkolle në Ferizaj, e kishte sjellë në stacion policor një qytetar.
Policia thotë se brenda portofolit janë gjetur dokumente personale dhe 614 euro.
“Pas verifikimeve, policia ka arritur të identifikojë pronaren, B.M. nga Ferizaj, e cila është paraqitur menjëherë në stacion dhe ka konfirmuar se të gjitha dokumentet dhe paratë ishin të paprekura. Ato i janë kthyer me procesverbal zyrtar”- thuhet në komunikatën e Policisë. Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj publikisht ka falënderuar fëmijët R.T., A.T. dhe D.T. për këtë veprim, duke shtuar se ky gjest mbetet një shembull frymëzues për të gjithë fëmijët dhe qytetarët tanë mbi ndershmërinë dhe përgjegjësinë shoqërore.













