Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka refuzuar të komentojë rreth vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, shkaku i tij.
Sapo është pyetur nga gazetari Xhemajl Rexha mbi këtë vendim, kanë ndërhyrë gjashtë truprojat e tij për të larguar nga gazetari.
Ai ka vazhduar më pas përshëndetjet me figurat e VV’së.
Rreth vendimit s’pranoi të deklarohet më herët as deputeti i VV’së, Faton Peci.
Për vendimin e ShBA’së për pezullim të dialogut njoftoi Ambasada, ku tha se kjo u bë për shkak shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet e përbashkëta.
Sipas ambasadës, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve.
“Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar pa afat Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet e përbashkëta.
Mbetemi të përkushtuar në avancimin e interesave të përbashkëta të përbashkëta nga Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitetin e ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, u tha në njoftim.
Dialogu Strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale./Reporteri.net