Sot festohet “Dita e Mësuesit”, që na përkujton ditën kur më 7 mars 1887, u hap në Korçë, nën drejtimin e Pandeli Sotirit, Mësonjëtorja kombëtare shqipe. Ajo ishte shkollë me karakter kombëtar e laik ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe.
Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami.
Në këtë ditë ne të gjithë se bashku kujtojmë mësuesit tonë të parë që na mësuan shkronjat shqipe, na mësuan se si ta duam dhe ta respektojmë atdheun, na mësuan poezitë e bukura te autorëve tonë të mrekullueshëm.
7 Marsi është një ditë dhe datë e madhe për arsimin shqip kudo që ndodhet në trojet etnike shqiptare. Për këtë arsye ia vlen që të shkruhet për këtë ditë të madhe të arsimit shqip, ngaqë arsimi e nxori nga injoranca dhe padituria kombin tonë dhe i dha dritë dijes dhe perspektivës së popullit. Duke u nisur nga ky aspekt, do të përkujtojmë rrugëtimin e arsimit shqip në disa pika të shkurtëra. Është ky viti i 32-të i një manifestimi të këtij lloji në Kosovë, kurse në Shqipërinë londineze 7 Marsi-Dita e Mësuesit festohet që nga viti 1960. Kjo ditë shënohet me qëllim që të ngriten më lartë traditat e shkollës kombëtare e të çmohet figura e nderuar e mësuesit dhe të gjithë punonjësve të arsimit, roli i të cilëve është i madh në edukimin e brezit të ri dhe në zhvillimin e gjithanshëm arsimor e kulturor të kombit.
Sot, më 7 Mars 2022, mbushen 135 vjet nga dita e themelimit te Mësonjtores së Parë Shqipe të Korçës, me të cilën u shënua një kthesë thelbësore në historinë e popullit shqiptar e veçanërisht në historinë e Rilindjës Kombëtare Shqiptare. Së këndejmi, kjo datë përfaqëson një ngjarje të rëndësishme politike e kulturore në historinë e arsimit kombëtar shqiptar.