“Istogu, është një komunë e cila nuk është shumë e zhvilluar, edhe pse kryetari, Ilir Ferati ka bërë një punë të jashtëzakonshme për zhvillimin e saj. Nëse, unë do të jem në Paralament të Kosovës, do të mundohemi t’i eleminojmë burokracitë, do të marrim fonde të rëndësishme që do t’i orientojmë në Komunën e Istogut të cilat gjatë këtyre katër viteve të Qeverisë së Albin Kurtit, asnjë investim nuk ka ndodhur në komunën tonë”, tha Mulaj.
Mulaj ka kritikuar edhe mosfinalizimin e projekteve infrastrukturore, duke theksuar se për pesë vite nuk është përfunduar asnjë rrugë që do ta lidhte Istogun me qendrat tjera urbane, si dhe mungesën e projekteve konkrete zhvillimore.
“Kemi disa autostrada, të cilat kanë filluar, por s’ka përfundu asnjë prej tyre. Për pesë vite, asnjë rrugë nuk ka përfunduar, që do të lidhnin edhe Istogun me qendrat tjera urbane, pastaj nuk kemi asnjë projekt konkret zhvillimor dhe Kurti vetë e ka thënë që asnjë Komunë e cila nuk udhëhiqet nga VV’ja nuk do të ndihmohet”, shtoi ai.
Ai ka përmendur gjithashtu gjendjen e rëndë me energjinë elektrike, duke deklaruar se dy projekte të gatshme për Istogun, një i financuar nga MCC dhe një tjetër prej 38.8 milionë eurosh nga Katari, janë penguar nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Punëve të Jashtme.
“Së fundi, kam takuar drejtorin e KEDS-it, për shkak se gjendja me energjinë elektrike në Istog është jashtëzakonisht e keqe. Në takim e sipër, drejtori i KEDS-it, na tha që i kanë pasë dy projekte të gatshme për komunën e Istogut, njëri do të financohej nga MCC, por Qeveria e Kurtit nuk e ka aprovuar. Ndërsa, në projekti i dytë 38.8 milionësh nga Katari, krejtësisht mjete falas, pa kthim, pa kredi, edhe ato janë penguar nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga Ministria e Punëve të Jashtme që nuk e kanë dhënë aprovimin që ky investim të vie në Istog”, tha Mulaj për GazetaBlic.












