Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka pritur në një takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier, me të cilin tha se folën për koordinim për disa takime e aktivitete që ajo pritet t’i ketë në OKB.
Presidenca njoftoi se Osmani e Hovenier kanë folur edhe për zhvillimet e fundit në vend, “me fokus të veçantë në çështjet e sigurisë, si dhe tema të tjera të interesit nacional”.
“Në takim, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier kanë diskutuar për koordinim për takimet dhe aktivitetet gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (UNGA), ku Presidentja Osmani do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në cilësinë e saj si kreu i shtetit”, njoftoi Presidenca.
Osmani thuhet se e njoftoi ambasadorin amerikan edhe “lidhur me nisjen e fazës së konsultimeve me krerët e partive politike sa i përket zgjedhjeve të rregullta”.
Në këtë takim, Osmani pati mundësinë të njoftohej edhe me zëvendësambasadoren e re të SHBA-së, Anu Prattipati.













