Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar ashpër për incidentin e presidentes Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit.
Ai ka thënë se skuqet nga turpi i atyre që e bënë këtë skandal, derisa ka lutur presidenten e Kosovës dhe qytetarët që t’i falin përgjegjësit sepse, sipas tij, nuk dijnë.
“Unë skuqem nga turpi i tyre dhe lus të gjithë vëllezërit dhe motrat në Kosovë, por edhe qytetarët tanë, që ti falin për arsye se nuk dijnë se ç’bëjnë. Kur nuk kanë turp të shkelin mbi popullin e vet, mbi vullnetin demokratik të qytetarëve në zgjedhje e të vihen në shërbim vazal e servil të tjetër kujt duke na sjell Putinin e Vuçiqin në Qeveri, atëherë si pyet askush për asgjë dhe na turpërojnë çdo ditë, nga disa herë me rradhë”, ka shkruar Ahmeti në Facebook, ku ka publikuar edhe një fotografi me Osmanin.
Të enjten, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, teksa po kalonte tranzit në Maqedoninë e Veriut, në Aeroportin e Shkupit, është ndaluar për kontrollë nga sigurimi, i cili ka tentuar t’ia marrë telefonin dhe qantën.
Mirëpo, pas kësaj, ishte krijuar situatë e tensionuar, çka kishte ndërhyrë edhe sigurimi i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, për çka u raportua se edhe ishin nxjerrë armët.











