Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, paralajmëron se Qeveria e Kosovës nuk do ta dërgojë draft-statutin e propozuar nga BE-ja për asociacionin në Kushtetuese.
Ajo deklaron se themelimi i asociacionit, i ndarë nga Marrëveshja bazë e Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, i arritur në vitin 2023, nuk siguron normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas saj, nevojitet nënshkrimi i marrëveshjes dhe qasje e barabartë nga BE që të ecë përpara dialogu.
Kryeziu-Hyseni, e cila është edhe kryetare e Komisionit parlamentar për punë të jashtme, thotë për KosovaPress se marrëveshja e Brukselit ka çështjen e rregullimit të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, por e njëjta ka një radhitje të sekuencimit që duhet ndjekur.
Sipas saj, Bashkimi Evropian ka humbur mjaftueshëm kohë duke toleruar Serbinë edhe pas shkeljeve të njëpasnjëshme të marrëveshjes.
Megjithatë, Kryeziu-Hyseni adreson kritika ndaj Bashkimit Evropian dhe emisarit Miroslav Lajçak për qasje të pabarabartë në dialog, ndërsa shprehet optimiste se një qasje e tillë do të ndryshojë pas konstituimit të Komisionit të ri Evropian.
Krahas këtyre, ajo e sheh të domosdoshme heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës nga udhëheqja e re e Komisionit Evropian.
Asociacioni u riaktualizua më 29 tetor kur Albin Kurti tha se si kryeministër i një republike demokratike nuk mund të formojë asociacionin e komunave, i cili është ndër kërkesat kryesore ndaj Kosovës sipas një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.