Lidhja Demokratike e Kosovës u ka dalë në mbrojtje Paris Gurit dhe Egzon Pacollit pas ngritjes së kallëzimit penal nga Faton Peci për publikimin e skandaleve me grante në ministrinë e Bujqësisë.
LDK-ja ka thënë se po u vjen fundi zhvatjeve dhe korrupsionit qeveritar.
“Mbështetje e plotë për Parisin dhe Egzonin që, si qytetarë të përgjegjshëm e si veprimtarë politikë të rinj dhe shembullorë, shpalosën skandalin e madh korruptiv të subvencioneve, ku grantet prej 100 mijë eurosh u ndanë për vëllezër, dajë e këshilltarë të pushtetarëve, me ndikim politik dhe shkelje ligjore flagrante”, thuhej në reagimin e LDK-së.
“Kallëzimi i tyre penal ngjalli frustrim. Prandaj ata targetohen sot nga një pushtet i korruptuar dhe kriminal që po ikën. Paratë e keqpërdorura do të kthehen cent më cent; e të përfshirët do të mbahen përgjegjës para ligjit të Republikës sonë.
9 shkurti po vjen. Po u vjen fundi zhvatjeve dhe korrupsionit qeveritar. Ndryshimi po vjen”, thuhej në reagim.