Të gjithë ata që nuk duan një fitore të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit janë veçse “materialistë” e “zuzarë” për Albin Kurtin. Kryeministri i mllefosur e i kapur pas së kaluarës që kërkon të rrijë ende në pushtet po shfaqet agresiv në ditët e para të fushatës elektorale. Ai dëshiron që partitë e tjera të mos udhëheqin kurrë më dhe ai të mos kthehet më kurrë në opozitë. Ky diskurs brutal “shpjegon shumë se çfarë është duke ndodhur” tha profesori universitar Blerim Latifi të hënën në Pressing. Te lideri i LVV-së ai sheh “pasiguri për atë se çka e pret më 9 shkurt”. Ndërsa analisti Dukagjin Gorani e quajti të shëmtuar këtë manovër elektorale nga një njeri që “katër vjet ka pasur pushtet të pacenuar dhe të papenguar politik”.
Fushata për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nisi të shtunën dhe prej tre ditësh kryeministri i majtë që kërkon edhe një mandat në krye të Qeverisë po servon një retorikë nacionaliste të pazakontë për partitë e kësaj ideologjie, të kombinuar me gjuhë vulgare e brutale ndaj oponentëve politikë.
Albin Kurti, i cili e udhëhoqi vendin për katër vjet të plota me shumicën e deputetëve në Kuvend që ishin të tijët, paraqitet ende i zemëruar, edhe më i zemëruar për të kaluarën, atë kohë kur të tjerët ishin në pushtet.
Ai i sheh qytetarët në vetëm dy pole: ata që janë “kombëtarë”, dhe ata që janë “zuzarë”. Të parët duhet ta mbështesin atë dhe të gjithë të tjerët për të janë veçse “materialistë” e “zuzarë”.
“Në popullsinë e në shoqërinë tonë, në politikën e në institucionet tona, nuk ka ‘krah të luftës’ e ‘krah të paqes’, se shqiptarët gjithmonë kanë luftu prej zorit e jo për qef. Por ka të krahut materialist të luftës dhe të krahut idealist të luftës, e ata të krahut idealist të luftës janë në Lëvizje si ngahera, si përherë, si gjithnjë, si përgjithmonë. Rilindasi ynë i madh, ndër rilindasit e fundit, Faik Konica, ka thënë një shprehje lapidare, i ka shumë të tilla por unë përzgjodha njërën sonte. Po e citoj: ‘Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve’. Ne jemi nga ana e kombëtarëve”, tha Kurti të dielën në tubimin elektoral në Mitrovicë.
Atje, Kurti i akuzoi partitë e tjera edhe për tradhti dhe tha se do të “plaken” e “rrokaten” në opozitë. Partitë e tjera, tha ai, “nuk do të kthehen më në pushtet”.
“Të dashur qytetarë të Mitrovicës, për çka e kanë përdorë këta që tash janë në opozitë dikur aleancën me Perëndimin? E kanë përdorë, e kanë keqpërdorë aleancën me Perëndimin për ta ambalazhu ose hajninë ose tradhtinë e tyre. Prandaj, prandaj ata u larguan nga pushteti dhe prandaj ata nuk do të kthehen më në pushtet. Aleanca me Perëndimin, partneriteti me Perëndimin, miqësia me Perëndimin, përdoret për ta forcuar ushtrinë, e kurrë për ta ambalazhuar hajninë apo tradhtinë siç bënë ata që dikur ishin në pushtet e tash janë në opozitë e do të plaken në opozitë, e do të rrokaten në opozitë”.
Lideri i indinjuar që kërkon të rizgjidhet kryeministër për herë të tretë, i portretizoi si hajdutë oponentët e tij.
“Premtimet e këtyre tjerëve, premtimet e atyre tjerëve, të dashur qytetarë, i ngjajnë hajnit i cili do me ta vjedhë shtëpinë, por ta premton një bakshish. Kur i dëgjoni ata duke ju premtuar dijeni që ata duan me ta lanë bakshishin pasi ta vjedhin shtëpinë. Por ka kalu koha kur ata bëjnë sfilatë në pushtet e e vjedhin shtëpinë e popullit. Opozita e ka vendin më së shumti në opozitë. Dhe a e dini pse ata nuk vijnë dot më në pushtet? Për shkak të popullit, për shkak të popullit që kurrë nuk i shërbyen me nder dhe asnjëherë nuk e kuptuan tamam”, tha atë ditë.
Theksin nacionalist, Kurti e vendosi në diskursin e tij brutal që në hapje të fushatës elektorale të shtunën në Gjakovë, duke i shënjestruar dy partitë më të mëdha opozitare, PDK-në dhe LDK-në si ato që “e kanë bërë dëmin më të madh”.
Të hënën mbajti tubim në Pejë, komunën që udhëhiqet nga nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri.
“Këtu, siç e dini edhe ju vetë, LDKyhi dhe PDKyhi janë bashkë në koalicion. Ata mund të jenë nostalgjikë për të kaluarën kur kanë keqqeverisë bashkë, por nuk mund të jenë më ëndrrimtarë që kjo përsëritet në të ardhmen”, tha Kurti.
Shkoi deri aty sa me një përplasje të duarve e performoi mbytjen e një mize, e këtë insekt e krahasoi me LDK-në: “Kur na rastis të dëgjojmë ndonjë udhëheqës të LDKyhit që thotë se po i pëlqen popullit a populli ka simpati për ta, kjo mua m’i përngjan asaj mizës që thoshte ‘kudo po shkoj po më presin me duartrokitje’. Pra, kur ata thonë që populli po i pëlqen ata, është si ajo miza që lavdohej se njerëzit po e presin me duartrokitje. E ju e dini shumë mirë që me ato duar që duatrokasin çka janë duke provuar t’i bëjnë asaj mize”.
Ashpërsia e gjuhës së Albin Kurtit shihet si “pasiguri për atë se çka e pret më 9 shkurt”
Blerim Latifi sheh një “ndryshim interesant” në diskursin e Kurtit që sipas tij “flet shumë” dhe “shpjegon shumë se çfarë është duke ndodhur”.
Profesori universitar tha të hënën në Pressing në T7 se epitetet që po i përdor lideri i LVV-së janë “simptoma të rritjes së pasigurisë”.
“Unë mendoj që kjo është goditja e parë që e ka bërë opozita, i ka shkaktuar pasiguri”, tha ai.
Latifi kujtoi se në fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 forma kryesore e reagimit të Kurtit ndaj kundërshtarëve politikë ka qenë ironia.
“Tash ti kur e ironizon kundërshtarin, ti po do me tregu që je superior ndaj tij, ke njëfarë superioriteti dhe je fitues në raport ndaj tij. Je komod dhe ironizon. E ke fuqinë politike, elektorale dhe ti nuk brengosesh dhe ia lejon vetes komoditetin përtë qenë ironik me kundërshtarët. Në 2021-tën Kurti ironinë e ka përdorur masivisht dhe i ka ndezë. Pas katër viteve, tek ai më nuk e kemi ironinë. Ironia është zëvendësu me diçka tjetër, me ofendime brutale ndaj kundërshtarëve”.
Tash, ai thotë se Kurti nuk është i sigurtë se do t’i mposhtë kundërshtarët e tij “pa kurrfarë problemi”.
“Ofendimet brutale tregojnë që ti po ndjehesh i lënduar prej kundërshtarëve dhe nuk po ndjehesh i sigurt se mund t’i mposhtësh ata. Ofendimi vetëvetiu tregon se ti je i zemëruar, e ke një mllef, e ke një… pothuajse je inferior në raport me kundërshtarët. Dhe mendoj se ky ndryshim te Kurti ka ndodh sigurisht pasi e ka parë kapacitetin e opozitës për të mobilizuar struktura të fuqishme që i ka në tubimet e para të fushatës elektorale”.
Në këtë situatë, Kurti sipas tij “ia ka leju vetes përdorimin e disa termave të cilat definitivisht as nuk e nderojnë Kurtin, as nuk i kontribuojnë klimës politike në fushatë elektorale”.
“Për shembull fjala ‘zuzar’. Fjala ‘zuzar’ është ekstremisht e rëndë. Është fjalë turke që me e përkthy i bie ‘bastard’. I bie njeri i poshtër. Bukfalisht ‘zuzar’ është ‘bastard’”, tha ai.
“I është rritur pasiguria për atë se çka e pret më 9 shkurt”, thotë Latifi. “Një njeri që ndjehet fitues nuk fyen, nuk ofendon. Një njeri që mendon se është duke fitu është i qetë, është komod, është gjeneroz, është racional në mënyrën në të cilën flet. Një njeri që ka frikë për atë që e pret është i tillë: abuzues, bullizues, kërcënues, ofendues. Krejt ai aparati psikolinguistik që në fund të fundit nuk shpreh kurrgjë tjetër veçse gjendjen e një njeriu që nuk është i sigurtë që ka me i fitu zgjedhjet”.
Të shëmtuara i quajti fjalimet e Kurtit analisti politik, Dukagjin Gorani.
“Unë qeto vjet i kam ba, veç adresim dhe adresime më të shëmtuara publikisht se qeto të këtyre dy ditëve nga ana e njeriut që është ende kryeministër i vendit, unë nuk kam pa”, tha ai, duke veçuar në këtë përmbajtjen “hakmarrëse” të këtyre fjalimeve.
Për një kryeministër që “katër vjet ka pasur pushtet të pacenuar dhe të papenguar politik”, ai tha se ky diskurs është i pazakontë.
“Njeriu i cili ka qenë kryeministër katër vjet me folë me këso pezmi dhe mëllefi për subjektet opozitare që as s’iu kanë përzi në punë, as s’kanë mundur edhe me pasë dashtë, me i bë çfarëdo pengese…”.
“Unë përnjëmend nuk e di kah është kah do me shku kjo parti”, tha Gorani.
Ai tha se Kurti është shumë afër që të bëhet njeriu që ka qeverisur më së gjati me vendin.
“Ky ka qenë kryeministër katër vjet e diçka, gati pesë. Njerëzit që ky është kah i sulmon nuk kanë qenë kryeministra më gjatë. Për shembull, Hashim Thaçi ka qenë kryeministër pesë vjet, 2008-2013, nuk ka qenë ma shumë, 7-8 muaj”, tha Gorani.