Si gjithmonë në fillim prilli, mblidhemi në këtë festë për të përkujtuar një moment unik të historisë shqiptare, ngritjen e flamurit në majën e Deçiqit. Ky flamur, mallkuar e nëpërkëmbur nga nata e errët otomane, u shpalos në ajër si shqipe me dy flatra, nga malësorët trima të prirë nga Dedë Gjo Luli. Ishte ky në vetvete një veprim monumental, që do të mbetet përgjithmonë i ngulitur në memorien e historisë shqiptare, për nga përmasat dhe mesazhi që u jep brezave dhe si i tillë është i denjë për t’u festuar dhe përkujtuar vit mbas viti. Ka një ngjarje, në historinë e vendit në të cilën jetojmë, pra atë të Shteteve të Bashkuara, e cila ndan dy mendësi dhe njëkohësisht dy epoka. Nuk është domosdoshmërish ndodhia më e madhe, por është ndofta një nga ngjarjet më kuptimplote. Një argjendar nga Bostoni që quhej Paul Revere së bashku me dy patriotë të tjerë, në prill të vitit 1775 ndërmori mes territ të natës një udhëtim drejt Leksingtonit dhe Konkordit (atë kohë në Masaçusets), për t’i lajmëruar forcat kryengritëse amerikane që ushtria britanike po afrohej për t’i sulmuar, dhe ky do ishte momenti në të cilin ata duhet të ishin të gatshëm për t’u përballur me armikun. Kjo njihet në histori si “krisma që ushtoi në mbarë botën” dhe në vetvete shënoi fillimin i revolucionit amerikan.
Për një arsye ose tjetër, kjo ngjarje dhe imazhi, që përcjell, me sillej ndër mend vazhdimisht ndërsa shkruaja këtë kumtese. Dhe me të drejtë mund të behet pyetja, po ç’lidhje ka ky episod i ndodhur në këtë anë të Atlantikut atë vit të largët, me një ngjarje të ndodhur në malësinë shqiptare (pra në anën tjetër të rruzullit), 136 vjet më vone? Dhe përgjigjja vjen natyrshëm dhe thjesht, të dyja këto momente kanë rëndësi të jashtëzakonshme për kombet përkatëse, sepse shënojnë fillimin e ndërgjegjësimit për një rrugëtim të ri, në njëfarë mënyre janë fillimi i fundit, do të thotë ndarja përfundimtare me perandoritë e vjetra, dhunuese dhe të padrejta. Të dyja ngjarjet hapën një shteg dhe treguan rrugën, se liria fitohet dhe nuk dhurohet, dhe për ta pasur atë duhen bërë sakrifica. Në historinë e gjatë të tyre shqiptarët gjithmonë janë përleshur me pushtuesin. Vazhdimisht kanë treguar se kjo pjesë e tokës, të cilën Zoti jua ka caktuar, i përket kombit shqiptar dhe askujt tjetër. Me lumenj gjaku dhe shumë mundime ata janë përpjekur të ruajnë vazhdimisht identitetin dhe qenësinë e tyre. Por nganjëherë dhe fatkeqësisht këto luftëra, nuk kanë dhënë gjithmonë përfitim maksimal për kombin tonë dhe sakrificat e bëra nuk janë justifikuar deri në fund, në raport me qëllimin që duhej të ishte arritur. Arbrit me kryetrimin Gjergj Kastrioti i vunë gjoksin Evropës dhe e ndaluan perandorinë otomane në kulmin e saj, të përparonte drejt Romes e Vjenës. Në shekujt e mëpasshëm pavarësisht shtypjes otomane shqiptarët vazhduan të ngriheshin e të luftonin kundër sulltanatit dhe janë një nga kombet me numrin më të madh të kryengritjeve gjatë asaj periudhe. Po a u kujtua ndokush për këtë sakrificë, a u mendua në ndonjë kancelari për atë që shqiptarët kishin bërë për Evropën? Për ndonjë larje të vogël borxhi, si mund të themi? Aspak, dhe kur erdhi koha që “I sëmuri i Bosforit” po lëngonte, tokat shqiptare u përdorën si plaçkë tregu, për të kënaqur babëzinë e fqinjëve sllavë e grekë. Poeti kombëtar At Gjergj Fishta në një nga kryeveprat e tij titulluar “Një gjame dëshprimit” duke parë se ç’po ndodhte me trojet shqiptare shprehet:
“Po pse krahët pa dhimbë shqypes kshtu me ja thye
E prej lirijet me ja ndalun hovin,
Gopsija e kujt n’Malsi ka mujt me u ushqye,
Po a Hoti a Gruda do ta mbajnë Moskovin?”
Dhe kjo gjame dëshpërimi, del nga një shpirt që shikonte me dhimbje ndarjen e tokave shqiptare, sesi gjymtyrët e një kombi po përdoreshin për të kënaqur lakminë e të tjerëve. Megjithatë, duhet të pranojmë që gabimet në më të shumtën e rasteve duhet t’i kërkojmë tek vetja. Dihet që në këtë botë gjithçka e ka një çmim dhe po nuk u organizove dhe lëvize vetë nga vendi, mos prit që e mira të vijë në pjatë të artë nga dikush tjetër. Sepse këta shqiptarë që i dhanë perandorisë osmane mbi 40 vezirë të mëdhenj, si nuk ishin në gjendje të formonin një shtet entik shqiptar më parë? Këta shqiptarë që krijuan dinasti mbretërore dhe themeluan shtete moderne (si në Egjipt me Mehmet Aliun), pse nuk e krijuan pikë së pari një shtet të tillë në trojet e tyre? Këta shqiptarë që absolutisht janë heronjtë më të mëdhenj të revolucionit grek të vitit 1821, si nuk luftuan më parë për pavarësinë e tyre?
Arsyeja është e qartë, mungonte ajo që quhet busull orientimi, formulimi i një ideologjie të përcaktuar kombëtarisht, mosgjetja e një embleme rreth të cilit shqiptarët duhet të mblidheshin. Që një popull ta shpallë veten se kush është në arenën e kombeve duhet të ketë një simbol, një logo siç mund t’i themi në kohën moderne, nga e cila të njihet dhe të dallohet. Flamuri është simboli i dytë më i rëndësishëm mbas gjuhës i çdo kombi, është pasaporta që e bën të dallohet në mbarë botën. Dhe ky flamur-bajrak i lënë trashëgim prej krye heroit Gjergj Kastrioti, dhe i ri-zbuluar prej gjeniut intelektual të kombit shqiptar Faik bej Konicës, më në fund valoi përsëri i lirë pas pothuajse 4 shekujsh e gjysmë, në Bratilën e Deçiqit, duke lënë pas baltën dhe harresën. Është një moment për të cilin Malësia duhet të jetë krenare, sepse ky është çasti që hap rrugën nëpër të cilën duhej ecur. Thuhet shpesh që malësorët janë trima dhe bujarë. Pa asnjë dyshim ky është fakt dhe atribut i tyre, i provuar ndër breza e i kultivuar ndër shekuj. Por ngritja e flamurit ka diçka që shkon më tepër dhe më thellë se burrëria dhe patjetër duhet të shikohet edhe në një këndvështrim tjetër. Po ta shqyrtosh thellë është një përpjekje fillestare në rrugën që shkon drejt shtetformimit, pavarësisht sa e vështirë ishte të kuptohej plotësisht atëherë, trashëgimia që do sillte ky akt. Historia na mëson se ngjarjet nuk krijohen nga hiçi, ato kanë vazhdimësi logjike, fillimisht krijohen shkaqe nga të cilat rrjedhin pasojat dhe gjërat vijojnë kronologjikisht.
Le t’i shqyrtojmë ato njëra pas tjetrës.
E para ngritja e flamurit mbi Deçiq është një lloj dalje prej një errësire të imponuar, dhe si krahasim mund të përdorim momentin kur hapim derën e në një dhome krejtësisht të errët dhe fillojmë të shikojmë objektet që janë rrotull. Nuk mund të shikojmë qartazi pa hapjen e derës. Pra, është hyrja e asaj rrezeje drite që mposht një botë të errët.
E dyta, kjo ngjarje ishte parakusht për zhvillimet e tjera të mëvonshme. Fatkeqësisht, mbas një periudhe të gjate sundimi ndërgjegjja e një populli bjerret dhe kësisoj një komb mund të humbasë drejtpeshimin. Sikundër thamë shqiptaret u kujtuan vonë për të shpallur pavarësinë e tyre, gjithsesi vonë është më mirë se kurrë. Por pyetja shtrohet, si mund të ishte ngritur flamuri në Vlorë, po të mos ishte ngritur në Malësi? Si mund të formuloheshin kërkesat për një Shqipëri Sovrane dhe të mosvarme po të mos ishte shkruar kërkesat e Memorandumit të Greçes apo Librit të Kuq siç njihet, në Selcë të Kelmendit? Dhe gjithsesi dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të anashkalojmë rolin e Gurakuqit të madh, këtij ideologu të mirëfilltë të pavarësisë shqiptare që bashkë me Ismail Qemalin ditën sesi të punonin së bashku, njeri katolik e tjetri mysliman, për të arritur qëllimin final, pavarësinë e Shqipërisë.
E treta, dhe dua ta theksoj dhe sqaroj këtë. Është thënë shpesh nga historiografi vendesh që nuk na e duan të mirën se kryengritja u inicua, përkrah dhe punoi në favor të Malit të Zi. Kuptohet, Mali i Zi kishte interesat e veta dhe donte të përdorte trimërinë e shqiptareve për t’i nxjerrë gështenjat nga zjarri. Por, kjo s’do të thotë aspak që synimet e administratës në Cetinjë ishin njëkohësisht edhe aspiratat e malësorëve. Le t’i shqyrtojmë faktet një nga një. Në fund të marsit të vitit 1911, saktësisht më 30 mars, kryengritja i drejtoi një memorandum Fuqive të Mëdha ku ndërmjet të tjerave kërkohej: Paprekshmëria e tokave shqiptare; Gjuha shqipe si gjuhe zyrtare e 4 vilajeteve në zyra, gjyqe e shkolla; Nëpunësit në Shqipëri me kombësi shqiptare; Njohja e kombësisë shqiptare. Ushtarët ta kryenin detyrimin ushtarak ne trojet e tyre. A duken këto kërkesa si diçka që i shkonin për shtat Malit të Zi? A do ishte ndonjëherë qëllim i Malit të Zi mosprekja e territorit etnik shqiptar (ka marrë padrejtësisht ndërkohë)? A do kërkonte ndonjëherë Mali i Zi që shqipja të njihej dhe të flitej si gjuhë zyrtare? A do donte ndonjëherë Mali i Zi njohjen e kombësisë shqiptare? A do përpiqej Mali i Zi që nëpër zyra të kishte nëpunës me kombësi shqiptare? A do orvatej Mali i Zi që ushtarët shqiptarë ta kryenin shërbimin ushtarak në Shqipëri? Përgjigjja e të gjitha këtyre pesë pyetjeve është pesë herë: JO! Atëherë si ka mundësi të thuhet qe kryengritja punonte vetëm për interesat e Malit të Zi?
Qëllimi i malazezëve ishte djallëzor, ata donin që si rezultat i dobësimit të shtetit turk prej kryengritjes, të gllabëronin sa më shumë territor nga perandoria osmane dhe në thelb kjo donte të thoshte territor shqiptar.
Por veprimet e malësorëve, në masë të gjerë, vërtetojnë krejtësisht të kundërtën. Edhe me kryesorja, n.q.s. kryengritja ishte frymëzuar dhe punonte për Malin e Zi, pse flamuri i ngritur ishte shqipja e zezë dykrenore e Kastriotit dhe jo shpendi i bardhë i krajl Nikollës? Mjafton vetëm ky fakt (ky i fundit) për të hedhur poshtë pretendimet e rreme se lufta e malësorëve behej thjesht për llogarinë e Malit të Zi. Prandaj nuk duhet lejuar asnjëherë që teza të tilla të lejohen të qarkullojnë pa marrë përgjigjen e merituar. Lufta e Malësisë është luftë thjesht shqiptare, kishte karakter thellësisht kombëtar dhe pavarësisht rrengjeve dhe shkopinjve që përpiqeshin t’i vinin nën rrota turq e malazezë bashkë, arriti që t’i tregonte botës se kombi shqiptar kishte një përkatësi të rrënjosur në flamurin e Skënderbeut. Ajo ishte vazhdim i kryengritjeve të mëdha shqiptare dhe betejave zulmëmëdha në grykën e Caralevës me Isa Boletinin e në Kacanik me Idriz Seferin. Famëkeqi Shefqet Turgut Pasha e njihte dhe e kishte provuar edhe me parë trimërinë e shqiptareve atëbotë, sikundër bukur këndohet në këngën e famshme:
“Ushton gryka e Kaçanikut
Morën zjarr k’ta gur’t e malit,
Përmbi çallmat e Anadollit
Ndizen hutat e shqiptarit”.
Por tashmë ishte momenti të provonte trimërinë e malësorëve, e këtyre burrave e lidhur besa-besë rreth një flamuri, flamur që mendohej se kishte humbur, por nuk ishte harruar kurrë në zemrat e shqiptarëve. Ky flamur i ngritur prej Nikë Gjelosh Lulit, moment ky i shprehur shumë bukur në pikturën e Agim Zajmit që ndodhet edhe në kishën tuaj, përfaqëson esencën e kombit shqiptar dhe është simboli i përkatësisë dhe bashkimit për të gjithë ata që i thonë bukës “bukë” dhe ujit “ujë”.
Pra, vëllezër dhe burra malësorë duhet të jeni krenarë për atë që i keni dhënë Shqipërisë dhe meqenëse jemi këtu nuk mund të mos përmendim gratë heroike malësore dhe kontributin e tyre. Sepse Dedë Gjo Luli dhe Tringe Smalja, shkojnë krah njeri-tjetrit sikundër duhet të shkojnë gjithmonë Hoti e Gruda e bashkë me to Kelmendi e Kastrati, Shkreli, Trieshi e Koja e Kuçit dhe gjithë viset e Malësisë që e zbukurojnë kombin shqiptar si një gjerdan i çmuar. Thjesht dhe troç pa Malësi nuk ka dhe s’mund të ketë Shqipëri! Poeti i madh i kombit shqiptar, liriku fenomenal Lasgush Pogradeci i frymëzuar nga kryengritja e Malësisë shkroi një vjershe të titulluar “Mbi Ta”. I impresionuar dhe falënderues për veprën e malësorëve ai hodhi në letër vargjet e mëposhtme:
“Kaptuam shtate male rrjesht
Dhe s’folëm shtatë fjalë
Kaptuam shtatë male rresht
Malësisë për t’ju falë.
Mirë se të gjejmë atdhe bujar
Malësi e Lavdëruar
Pranon ti, oh! Pak gjak shqiptar
Që vjen për t’u dëshmuar.”