Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka deklaruar se po të ishte ai deputet I kësaj legjislature do ta votonte Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit të Kosovës.
Haliti ka theksuar se do ta bënte një veprim të tillë për shkak të vlerësimit që ka për familjen e Haxhiut, por edhe për shkak se siç është shprehur ‘Lëvizjes Vetëvendosje si parti fituese i takon ky post’.
“Unë po të isha deputet do ta votoja Albulena Haxhiun sepse atyre iu takon kryetari I Kuvendit. Ata kanë të drejtën me propozu dhe do ta hapja betejën në drejtim të krijimit të Qeverisë dhe nëse Albini nuk mundet t’i bëj 61 vota, atëherë presidentja është e obliguar që t’ia jap mandatin dikujt tjetër që i garanton 61 vota. Unë Haxhiun e kisha votu çdo herë sepse kam njëfarë emocioni për Haxhiun për shkak të familjes së saj, por në politikë njerëzit janë të obliguar të zbatojnë vendimet e partive”, ka thënë Haliti në Tëvë1.
Ai tutje ka mohuar se brenda PDK-së mund të ketë deputetë të cilët do ta votonin Haxhiun por që për shkak të qëndrimeve të partisë nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë.
“Nuk e di nuk më ka thënë dikush që do ta votojë Haxhiun, por unë besoj që Grupi Parlamentar i PDK-së nuk mund ta votojë atë dhe askënd tjetër në qoftë se nuk ka një vendim të tillë nga ky grup dhe nga kryesia e PDK-së. Ne atëherë kemi pasur një qëndrim strikt sa i përket kësaj çështje dhe kjo besoj nuk do të ndryshojë”, ka shtuar Haliti.