Presidenti i SHBA-së, Donald Trump kërkoi shkarkimin e gazetares së CNN-së, Natasha Bertrand, pas publikimit të një raporti të brendshëm të agjencive të inteligjencës amerikane, sipas të cilit sulmet e SHBA-së ndaj tre objekteve bërthamore iraniane (Fordow, Natanz, Isfahan) në orët e para të së dielës, shkaktuan vetëm një vonesë të përkohshme, prej disa muajsh, në programin bërthamor të Teheranit.
Përmes platformës Truth Social, Trump akuzoi korrespondenten 33-vjeçare të CNN-it në Pentagon për përhapjen e “lajmeve të rreme” dhe kërkoi që ajo “të hudhet jashtë ‘si qen’”, siç shkroi ai. Ai madje kritikoi ashpër lajmin e CNN duke pretenduar se “po përpiqej t’i shkatërronte pilotët tanë patriotë, duke i paraqitur keq”.
“Asaj nuk duhet t’i lejohet të punojë në CNN-in e Lajmeve të Rreme. Janë njerëz si ajo që e kanë shkatërruar reputacionin e një Rrjeti dikur të madh. Qasja e saj ishte kaq qartësisht negative, për më tepër, ajo nuk ka atë që duhet për të qenë korrespondente para kamerës, as për së afërmi. PUSHOJENI NATASHËN!”.
Trump dhe administrata e tij këmbëngulin se sulmet shkatërruan plotësisht infrastrukturën e pasurimit të uraniumit, duke aprovuar vlerësimin e Izraelit se programi bërthamor i Iranit është vonuar për vite të tëra. Në të kundërt, raporti i inteligjencës së brendshme i cituar nga CNN dhe i riprodhuar gjithashtu nga media të mëdha si Washington Post dhe New York Times , argumenton se vonesa është e përkohshme, gjë që ka shkaktuar shqetësim në Shtëpinë e Bardhë.
CNN, në një deklaratë zyrtare, mbrojti gazetaren Natasha Bertrand dhe theksoi se raportimi gazetaresk ishte i saktë dhe i bazuar në informacionin e disponueshëm me interes publik. Një zëdhënës i rrjetit CNN theksoi se vlerësimi ishte paraprak dhe se vetë mbulimi përfshinte edhe deklaratat e Trump. “Ne nuk e konsiderojmë të arsyeshme ta kritikojmë raportin për paraqitjen e saktë të një vlerësimi që ekziston dhe është kritik për informacionin publik”, – thuhej në deklaratë.