Parcelat bujqësore, banesat e parkingjet të 22 të arrestuarve për trafikim të narkotikëve nga operacioni “Qielli i Thyer” kërkoheshin të sekuestroheshin nga ana e Prokurorisë Speciale. Përveç pasurisë së paluajtshme, përgjatë operacionit organet e rendit kishin sekuestruar ora e vetura të markave luksoze, si dhe para të gatshme. 22 të dyshuarve iu janë ngrirë edhe xhirollogaritë bankare personale dhe atyre biznesore. Gazeta Insajderi ju sjell detaje:
Prokuroria Speciale krahas kërkesës për parashtrimin e parë të caktimit të masës së paraburgimit në qershor të këtij viti, pas arrestimit të 22 të dyshuarve për narkotikë, kishte kërkuar edhe që të sekuestroheshin pasuritë e paligjshme.
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë kërkesën e Speciales për lëshimin e urdhrit ndalues përfundimtar, ku përfshihet sekuestrimi i pasurisë së paluajtshme.
Insajderi ka arritur të shohë pasurinë e paluajtshme të disa prej të dyshuarve që ranë në pranga përgjatë një nga operacioneve më të mëdha kundër drogës.
Për Avni Rekaliun janë kërkuar që të sekuestrohen 19 parcela bujqësore në posedim të tij në Bajçinë të Podujevës, një sosh në Prishtinë, një garazh dhe një depo.
Ndërkaq, për Shemsi Bahtirin, të dyshuarin tjetër të arrestuar për drogë i cili ishte edhe pjesë e strukturave të Lëvizjes Vetëvendosje, është parashtruar në qershor kërkesa për sekuestrimin e një lokali në Fushë Kosovë dhe nëntë parcelave bujqësore në Kolovicë të Prishtinës.
Prokuroria Speciale ka kërkuar që Mentor Imamit t’i sekuestrohen dy banesa në Prishtinë, një parcelë bujqësore në Fushë Kosovë dhe një në Çagllavicë.
Ragip Bislimit në qershor prokuroria kërkoi t’ia sekuestronte 24 parcela bujqësore në Brestovik të Pejës dhe tetë parcela bujqësore në Sigë.
Ndërkaq për Edin Berishën, për të cilin Gazeta Insajderi raportoi se është edhe aksionar i klubit ‘FC Suhareka‘, u kërkua sekuestrimi i dy ndërtesave në Çagllavicë, nëntë parcelave bujqësore në po të njëjtën komunë dhe një në Grejçevc të Suharekës.
Në arsyetimin e Prokurorisë Speciale për sekuestrimin e pasurisë së paluajtshme ndaj 22 të dyshuarve thuhej se të pandehurit në vazhdimësi kanë tjetërsuar pronat e specifikuar, si dhe kanë mbuluar prejardhjen e pasurisë së përfituar nga veprat penale duke u munduar që përmes dokumentacionit ta paraqesin si pasuri të ligjshme.
“Andaj një mundësi e tillë do të mund ta shfrytëzojnë sërish, që në mundësinë e parë, gjë që do të rrezikonte ruajtjen e vlerës së pasurisë nga tjetërsimi apo ndonjë mënyrë tjetër të zhvlerësimit të saj, duke e pamundësuar konfiskimin e tyre përfundimtar në fazat e mëvonshme të procedurës penale“, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e Prokurorisë.
Krahas kësaj, Gazeta Insajderi ka pasur qasje edhe në një dokument ku tregon se çfarë është sekuestruar nëpër shtëpitë e 22 të arrestuarve. Aty përfshihen ora dhe vetura të markave luksoze dhe para të gatshme në shumë të mëdha.












