Deputeti Faton Peci, njëkohësisht ministër në detyrë i Bujqësisë, nxiti reagime të enjten mbrëma, kur shkroi tri vargje me rima, kuptimi i të cilave s’ishte lehtë të nxirrej.
“Nëse konstatimi është plebishitar, se dështimi është spektakolar, nuk mundesh të paktën të lesh edhe trashigimtarë” – shkroi ai në rrjetin social “Facebook”.
Pa u ndalur te kuptimi “filozofik” i vargjeve, një gazetar i “Nacionales” vërejti dy gabime elementare drejtshkrimore në pak fjalë të Pecit.
Ai e ngatërroi foljen e zgjedhimit të tretë, “të lësh” (në këtë rast, në vetën e dytë të numrit njëjës, në mënyrën lidhore), me emrin e gjinisë mashkullore, “lesh”.
Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, emri “lesh”, në kuptimin e parë, përshkruhet si “tërësia e qimeve të gjata që mbulojnë lëkurën e bagëtive të imëta, të deveve etj.”
Në të njëjtin fjalor, folja “lë”, në kuptimin e saj të parë, përshkruhet si “nuk e marr diçka nga vendi ku është, nuk ia ndryshoj vendin, nuk e heq, nuk e shkëput, nuk nxjerr a nuk e luaj prej atje”.
Peci, në vend se të shkruante “të lësh”, shkroi “të lesh”.
Për më tepër, emrin “trashëgimtarë” (në shumës) e shkroi gabimisht, “trashigimtarë”.