Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka nxjerrë vendim në favor të Gazetës Veriu.info, duke hedhur poshtë ankesën e Klinikës Amerikane, lidhur me hulumtimin me titull: M.V.: “Humba testisin pas gabimeve të mjekut në Klinikën Amerikane” – inspektorati gjobë qesharake për punën ilegale të Dr. Ekrem Sefiu (Dosja).
Ankesa e Klinikës Amerikane “Dr. Behar Kusari” pretendonte se artikulli me titull “M.V.: ‘Humba testisin pas gabimeve të mjekut në Klinikën Amerikane’ – inspektorati gjobë qesharake për punën ilegale të Dr. Ekrem Sefiu”, kishte shkelur Kodin e Mediave të Shkruara, duke e akuzuar mediumin për shpifje, raportim të pasaktë e paragjykues.
Megjithatë, pas shqyrtimit të fakteve, KMShK konstatoi se shkrimi nuk kishte shkelur asnjë parim të gazetarisë dhe asnjë nen të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, për shkak se gjithçka ishte e faktuar me dokumente dhe intervistë vizuale.
“KMShK nuk e ka miratuar (e ka hedhur poshtë) ankesën e Klinikës Amerikane ‘Dr. Behar Kusari’, përfaqësuar nga avokatja Albulena Ukimeraj, për shkrimin me titull ‘’M.V.: Humba testisin pas gabimeve të mjekut në Klinikën Amerikane’ – inspektorati gjobë qesharake për punën ilegale të Dr. Ekrem Sefiu”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, ashtu siç pretendon pala ankuese”, thuhet në komunikatën e KMShK-së.
Hulumtimi i Veriu.info kishte zbardhur situatën se si Klinika Amerikane ishte gjobitur për shkak të stafit ilegal që mbante në punë, e të cilët ofronin shërbime mjekësore, përfshirë edhe shërbimin që i kishin dhënë pacientit M.V., i cili pretendon që pas gabimeve të mjekut të Klinikës Amerikane, Ekrem Sefiu, kishte humbur testisin.












