Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka njoftuar se vendimmarrja për daljen në treg të hapur të energjisë është shtyrë deri më 1 maj 2026, për shkak të nevojës për analizë më të thelluar.
Konsumatorët mund të vazhdojnë të ushtrojnë të drejtën për t’u larguar nga shërbimi universal që nga 1 prilli.
Njoftimi i plotë:
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), në kuadër të procesit të rregullimit të tregut të energjisë elektrike, informon të gjithë konsumatorët, furnizuesit dhe palët e interesuara se është duke kryer shqyrtimin e detajuar dhe vlerësimin e kostove të ndërmarrjeve të rregulluara.
Për shkak të nevojës për analizë të thelluar dhe të plotë të të dhënave të paraqitura, procesi i vendimmarrjes është shtyrë. Si rrjedhojë, largimi i konsumatorëve nga shërbimi universal është shtyrë deri më datë 1 maj 2026.
Kjo shtyrje nuk pengon konsumatorët e kualifikuar për dalje në tregun e hapur që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të dalë nga shërbimi universal që nga data 1 prill 2026. Konsumatorët që plotësojnë kushtet e nevojshme mund të vazhdojnë procedurat e kalimit në furnizuesin e zgjedhur sipas afateve dhe procedurave të parashikuara.
ZRRE do të vazhdojë të monitorojë procesin me kujdes dhe do të njoftojë publikun në kohë për çdo zhvillim të mëtejshëm.