Qeveria e Kosovës e ka proceduar në Kuvend Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, deklaroi se projektligji synon të forcojë llogaridhënien e zyrtarëve publikë, duke kërkuar që pasuria e tyre të jetë në përputhje me të ardhurat e ligjshme dhe që çdo ndërhyrje në pronë të bëhet vetëm me vendim gjyqësor.
“Së pari të forcojë llogaridhënien e zyrtarëve publikë, duke e bërë të qartë se pasuria duhet të jetë në përputhje me të ardhurat e ligjshme dhe së dyti të ruajë standardet kushtetuese dhe të drejtat themelore duke siguruar që çdo ndërhyrje në pronë të bëhet vetëm me vendim gjyqësor”, tha Gërvalla.
Ajo theksoi se mandati publik nuk duhet të shfrytëzohet për pasurim personal, por është përgjegjësi që duhet ushtruar në përputhje me dispozitat ligjore.
Sipas saj, kjo nismë do të sjellë më shumë barazi dhe drejtësi për qytetarët, si dhe do të rrisë besimin në institucionet shtetërore.
“Mandati publik nuk është mundësi për pasurim personal, si dhe është përgjegjësi që duhet kryer bazuar në dispozitat dhe obligimet ligjore. Në anën tjetër, për qytetarët, kjo nismë dhe ky ligj do të thonë më shumë barazi, pastaj drejtësi dhe gjithashtu, më shumë besim në institucionet shtetërore”, shtoi ajo.













