Presidenti amerikan, Donald Trump tha se beson që Kina ndihmoi Iranin të negociojë një armëpushim, raportoi agjencia e lajmeve AFP.
“Dëgjoj se po”, tha Trump në një telefonatë kur u pyet nga AFP nëse Pekini kishte qenë i përfshirë në nxitjen e Teheranit, një aleat kyç, për të negociuar një armëpushim.
I pyetur për koment mbi raportet se Pekini e kishte nxitur Iranin drejt armëpushimit, një zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington i tha CNN se që nga fillimi i konfliktit, Kina kishte “punuar për të ndihmuar në arritjen e një armëpushimi dhe përfundimin e konfliktit”.
“Kina mirëpret të gjitha përpjekjet që çojnë në paqe”, tha Liu Pengyu për CNN.
“Shpresojmë që palët përkatëse do ta shfrytëzojnë mundësinë për paqe, do të kapërcejnë mosmarrëveshjet përmes dialogut dhe do t’i japin fund konfliktit sa më shpejt”, shtoi ai.
Pekini më parë luajti një rol kyç në ndërmjetësimin e një afrimi midis Iranit dhe rivalit të tij të hershëm, Arabisë Saudite, në vitin 2023. Dhe vizioni alternativ i udhëheqësit kinez Xi Jinping për sigurinë ndërkombëtare përfshin Pekinin si ndërmjetës.













