Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri në emisionin Gazeta ka kritikuar ashpër politikat aktuale lidhur me tregun e derivateve, duke thënë se ligjet dhe udhëzimet administrative janë hartuar kryesisht në favor të naftëtarëve.
Sipas saj, vetë kryetari i shoqatës së naftëtarëve ka deklaruar se çmimet dhe rregullimet janë bërë në koordinim me qeverinë aktuale, pra të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Vetë kryetari i shoqatës ka thënë se i kanë rregulluar çmimet me qeverinë e re. Nëse 99% e kërkesave të tyre janë përmbushur, atëherë nuk gjej qeveri tjetër që i ka ndihmuar më shumë naftëtarëve se kjo,” tha Ymeri.
Ajo shtoi se, duke analizuar ligjin për tregtinë e naftës, rezulton se ai është “kryekëput në favor të naftëtarëve dhe jo të konsumatorëve”. Ymeri gjithashtu theksoi se rritja e çmimeve në import nuk duhet të jetë barrë për qytetarët.
“Rritja e çmimit në import nuk është shqetësim i yni si qytetarë, por i shtetit dhe i naftëtarëve,” u shpreh ajo.
Deputetja rikujtoi se opozita ka bërë thirrje për krijimin e rezervave shtetërore të naftës, por sipas saj, një gjë e tillë nuk është realizuar.
“Nuk pritet nga opozita të ndikojë për naftëtarët, kur vetë kryetari i shoqatës thotë se ligjin e kanë bërë si kanë dashur,” përfundoi Ymeri./Gazeta10/















