Tregjet globale të energjisë mbeten nën presionin e zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Këtë të premte, bursa e Londrës shënoi një rritje për naftën Brent me 1%, duke u kuotuar në 96 dollarë e 88 cent për fuçi.
Edhe në bursën e Nju Jorkut, nafta bruto u rrit me 0.8%, duke arritur në 98 dollarë e 65 cent.
Rritja erdhi pas raportimeve nga agjencia shtetërore saudite e lajmeve, sipas të cilës sulmet në infrastrukturën energjetike kanë reduktuar prodhimin me 600 mijë fuçi në ditë.
Pavarësisht rritjes ditore, kjo mbetet java me rënien më të madhe që prej qershorit të vitit të kaluar. Ekspertët ia atribuojnë këtë ndryshim armëpushimit dyjavor mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, si dhe gatishmërisë së Izraelit për të nisur bisedime direkte me Libanin.
Megjithatë, pika më kritike mbetet Ngushtica e Hormuzit. Trafiku i anijeve aktualisht është nën 10% të vëllimit normal. Teherani ka paralajmëruar mjetet lundruese të qëndrojnë brenda ujërave territoriale, ndërsa kërkon tarifa kalimi për anijet në këmbim të një marrëveshjeje paqeje, propozim ky që është kundërshtuar nga liderët perëndimorë dhe Kombet e Bashkuara.
Bilanci i 6 javëve konflikt mbetet i rëndë për sektorin e energjisë. Sipas të dhënave, rreth 50 asete infrastrukturore në Gjirin Persik janë dëmtuar nga sulmet me dronë dhe raketa, duke nxjerrë jashtë funksionit një kapacitet rafinimi prej 2.4 milionë fuçi në ditë.












