Kriza e thellë ka përfshirë Chelsea, ndërsa e ardhmja e trajnerit Liam Rosenior është vënë seriozisht në pikëpyetje.
Drejtuesit e klubit londinez po shqyrtojnë nëse do ta vazhdojnë bashkëpunimin apo ta shkarkojnë trajnerin anglez, pas një serie katastrofike rezultatesh që ka tronditur ekipin, transmeton Klankosova.tv.
Forma e Chelseat është alarmante, skuadra vjen nga 5 humbje radhazi në Premier League dhe pa shënuar asnjë gol, një statistikë negative që nuk ishte parë prej më shumë se një shekulli.
Kjo seri e zezë e ka futur ekipin në një krizë të thellë, ndërsa në total Chelsea ka pësuar rreth 10 humbje këtë sezon në kampionat, duke humbur terren në garën për zonën evropiane. Gjithashtu, forma e fundit është shumë e dobët: londinezët kanë vetëm 1 fitore në 9 ndeshjet e fundit të ligës, duke treguar një rënie drastike të performancës.
Humbja e fundit 3-0 ndaj Brighton vetëm sa e përkeqësoi situatën, duke shtuar presionin mbi stafin teknik dhe lojtarët.
Tani, gjithçka është në duart e drejtuesve të klubit: të vazhdojnë me Rosenior dhe të shpresojnë në reagim, apo të ndërhyjnë menjëherë për të shpëtuar sezonin.















