Futbolli italian nuk gjen qetësi. Tani kanë shpërthyer polemikat për Shoqatën e Arbitrave dhe më konkretisht, shefin Gianluca Rocchi që ka marrë njoftimin se është nën hetim nga autoritetet italiane.
Mësohet se hetimet përqendrohen te sezoni i kaluar 2024/25 dhe dyshohet se krimi është i njëjti si 20 vite më parë kur shpërtheu ‘Calciopoli’ që tronditi të gjithë sistemin e futbollit në vendin e Apenineve.
Misteri në Udinese-Parma. Episodi rreth të cilit është hetimi ka të bëjë me ndeshjen mes Udineses dhe Parmës. Në sallën VAR analizohen imazhet për një penallti të mundshme për prekje të topit me dorë. ‘Nuk më duket jashtë siluetës, shikoje pozicionin e krahut më duket se është te trupi’-ishte leximi i Daniele Paterna që dukej se nuk ishte për akordimin e penalltisë. Më pas, pasi u rrotullua një sekondë, ndryshoi mendje dhe nga leximi i buzëve kuptohet të ketë thënë: ‘Është penallti’. Komunikim që i shkon arbitrit në fushë, Fabio Maresca. ‘Fabio të këshilloj rishimin në ekran të episodit për penallti të mundshme’. Arbitri ndoqi këshillën dhe akordon penallti. Udinese e fitoi atë ndeshje 1-0 pikërisht falë golit të shënuar me atë penallti nga Thauvin
Kush foli me Paternan? Pyetja lind në mënyrë spontane; kush e bindi Paternan të ndryshojë mendje? Sipas hipotezës që përfshihet në raportin e Domenico Rocca që më pas u arkivua nga drejtësia sportive, bëhej fjalë pikërisht për shefin e arbitrave Gianluca Rocchi. ‘Ai u ngrit menjëherë nga pozicioni i tij për të trokitur disa here në xhamin e sallës VAR ku ishin arbitrat Paterna dhe Sozza për të tërhequr vëmendjen e tyre me këta të fundit që thirrën arbitrin e fushës para monitorit në fushë’-shpjegohej në atë raport
Në dosje është edhe Inter-Verona e 8 janarit 2024. Në atë rast pati një sanksion i munguar ndaj Bastonit për një goditje me bërryl ndaj Dudas, episod që ndodhi përpara se të shënohej goli vendimtar. Dyshimi qëndron te fakti se në këtë rast arbitri nuk u thirr të verifikonte episodin në ekranin e fushës nga sistemi VAR. Mësohet se janë disa ndeshje të kampionatit të kaluar që janë nën hetim që duhet të sqarojë nëse bëhet fjalë thjesht për gabime apo fshihet diçka më e madhe.













