Barcelona po vazhdon marshimin e saj të pandalshëm drejt titullit kampion në La Liga, duke qenë shumë pranë sigurimit të trofeut të dytë radhazi dhe të 29-tit në historinë e këtij klubi.
Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick regjistroi fitoren e nëntë radhazi në kampionat, pasi mposhti 2:0 Getafe. Golat e takimit u realizuan nga Fermin Lopez dhe Marcus Rashford, duke konfirmuar formën e shkëlqyer të katalanasve.
Me këtë fitore, katalunasit kanë arritur në kuotën e 85 pikëve, duke krijuar një diferencë prej 11 pikësh ndaj Real Madridit, që në këtë javë barazoi 1:1 me Real Betis.
Me vetëm pesë ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit, diferenca duket pothuajse e pakapërcyeshme. Barca mund të shpallet matematikisht kampione që më 3 maj, nëse arrin fitore ndaj Osasuna dhe nëse Real Madridi nuk fiton përballë Espanyol.
Në rast se titulli nuk vendoset atëherë, gjithçka mund të kulmojë në përballjen e madhe “El Clasico” më 10 maj. Një fitore në këtë duel ndaj rivalit historik do ta bënte triumfin edhe më të veçantë për katalanasit.
Ky sukses do të ishte titulli i 29-të në histori për Barcelonën, duke e mbajtur në vendin e dytë në listën e përgjithshme pas Real Madridit me 36 tituj.
Megjithatë, në epokën moderne, Barcelona ka qenë më dominante: që nga viti 2000, ajo ka fituar 13 tituj kampionë, krahasuar me 9 të rivalit madrilen.













