Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino e konfirmoi synimin për të garuar për rizgjedhje për një mandat të tretë të plotë vitin e ardhshëm, pasi një tentativë për të orkestruar një shtrëngim duarsh mes delegatëve palestinezë dhe izraelitë në kongres dështoi dhe u kthye mbrapsht.
Presidenti i Federatës Palestineze të Futbollit, Jibril Rajoub, refuzoi të qëndronte përkrah zëvendëspresidentit të Federatës së Futbollit të Izraelit, Basim Sheikh Suliman, në një moment të sikletshëm drejt fundit të Kongresit të 76-të të FIFA-s, pasi të dy burrat ishin thirrur në skenë nga Infantino.
Vitet e fundit, Infantino gjithnjë e më shumë është përpjekur të paraqitet si një burrë shteti ndërkombëtar, por shkëmbimi mes Rajoub dhe Suliman ilustroi kufijtë e fuqisë së tij diplomatike.
Pasi Rajoub refuzoi të bënte atë që ai kërkonte, Infantino u kthye në skenë dhe tha: “Do të punojmë së bashku, president Rajoub, zëvendëspresident Suliman. Le të punojmë së bashku për t’u dhënë shpresë fëmijëve. Këto janë çështje komplekse”.
I pyetur se çfarë tha Rajoub kur refuzoi, zëvendëspresidentja e Federatës Palestineze të Futbollit, Susan Shalabi, i tha “Reuters”: “Nuk mund t’ia shtrëngoj dorën dikujt që izraelitët e kanë sjellë për të zbardhur fashizmin dhe gjenocidin e tyre. Ne po vuajmë”.
Infantino e anashkaloi sikletin e dukshëm të të pranishmëve për të shpallur “sekretin më të ditur” në sport: Se do të kërkojë rizgjedhjen vitin e ardhshëm. Zgjedhjet do të mbahen në Kongresin e FIFA-s në Rabat, Marok, dhe ai vështirë se pritet të ketë ndonjë kundërshtar.
Infantino u zgjodh për herë të parë në vitin 2016 si kandidat reformash për të zëvendësuar të diskredituarin Sepp Blatter, por ka gjasa të qëndrojë në post për 15 vjet pasi statutet e FIFA-s u ndryshuan në mënyrë që vetëm mandatet e plota të llogariteshin në kufirin e tre mandateve.
“Dua ta konfirmoj se do të jem kandidat për zgjedhjet për president të FIFA-s vitin e ardhshëm. Desha që ju të jeni të parët që ta dini. Faleminderit për inkurajimin dhe mbështetjen”./Telegrafi/











